Zona e re ndërtimore në Rrëshen, nis puna për ndërtimin e 35 banesave individuale dhe 68 apartamenteve

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Në zonën e re ndërtimore në Rrëshen ka nisur puna për ndërtimin e 35 banesave individuale me 6 pallate dhe 68 apartamente që pritet të përfundojnë në tetor 2021 bashkë me të gjithë infrastrukturën urbane.

Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër punën në këtë kantier ndërtimi.

“Zonat e reja për zhvillim janë njësoj si resortet turistike, si zhvillimet e blloqeve rezidenciale, por ndryshimi i madh, i rëndësishëm është se ato janë për ata që kanë mundësi t’i blejnë, ndërsa këto janë për ata që nuk kanë mundësi t’i blejnë. Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kriza e rëndë e fatkeqësisë natyrore shumë më të fortë të gjithë ata që u goditën dhe siç e keni parë u goditën më shumë ata që ishin më të dobët. Nëse do të ndiqnim formulën e ndjekur kudo në këto raste, me kredi të buta do të ishte vërtet një barrë e madhe për ta. Kështu që të gjitha do t’i marrin falas dhe do të jenë shumë më të lehtësuar, me shtëpi më të mira se sa ato që kishin dhe për fëmijët do të jetë kalimi në një botë tjetër në krahasim me aty ku deri para tërmetit ishin të detyruar të jetonin”, tha Rama.

Në fazën e parë, e cila zgjat 5 muaj po kryhet ndërtimi i infrastrukturës, ndërsa në fazën e dytë që zgjat 6 muaj nis ndërtimi i 35 banesave individuale me 6 pallate dhe 68 apartamente.

Në këtë zonë do të strehohen banorë dhe do të organizohen në këtë zonë ku do krijohet një zonë e mirëfilltë urbane me kopshte, shkolla, njësi shërbimi dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.