Zgjedhjet e 25 prillit/ Meta: Fushatë informimi mbi mënyrën e re të votimit

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Presidenti Ilir Meta theksoi sot rëndësinë e zgjatjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit sa më parë, për të gjithë zgjedhësit, pasi rreth 800 000 zgjedhësve u ka skaduar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit.

Gjatë një konferencë për mediet, Meta tha se pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile një ditë më parë, “kjo u kërkua sot edhe nga Kryetari i KQZ-së, njëkohësisht u është kërkuar edhe nga ana ime, si President i Republikës edhe të gjithë institucioneve për të reaguar sa më parë”.

Ai theksoi edhe “nevojën e funksionimit të shpejtë dhe efikas, me zero tolerancë, të organeve të drejtësisë për të hetuar të gjitha krimet zgjedhore”.

“Një shqetësim tjetër është shtimi i aktiviteteve të ndaluara nga Kodi Zgjedhor, siç janë dhënie kontratash koncesionare, tendera publikë, dorëzim lejesh legalizimesh, ligje që kanë impakt elektoral, aktivitete këto të ndaluara qartë nga Kodi Zgjedhor. U theksua rëndësia e miratimit sa më parë të fletës së votimit dhe rëndësia e një fushate aktive të edukimit të zgjedhësve, të cilët ende nuk janë informuar mbi mënyrën e re të votimit, sidomos sa i përket votës preferenciale, që është një risi për fat të mirë në këto zgjedhje”, tha Meta.

Gjatë konferencës, Meta tha se, “edhe Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi dje projektrezolutën për Shqipërinë me dakordësinë e plotë të dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian, të Partive Popullore dhe të Socialdemokratëve”.

Sipas tij, “BE e mbështet plotësisht integrimin europian të Shqipërisë, por nuk do të bëjë asnjë kompromis apo lëshim të kushteve të vendosura më 25 mars të vitit të kaluar. Pra rruga europiane dhe e çeljes së negociatave kalon vetëm përmes plotësimit të të gjitha kushteve”.

“Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë vendimtare që Shqipëria ose të përparojë me shpejtësi me negociatat e anëtarësimit, ose të mbetet përsëri në vendnumëro, apo mos më keq të bëjë hapa prapa. Parlamenti Europian, duke mbështetur vendimin e Këshillit Europian të 25 marsit të vitit të kaluar iu kujtoi edhe një herë të gjithë shqiptarëve se krimet zgjedhore të dosjeve 184 dhe 339 nuk do të amnistohen. Me këtë paralajmërim ata japin një mesazh të qartë edhe për zgjedhjet që po vijnë: do të ketë zero tolerancë për çdo manipulim, presion, apo tjetërsim të rezultatit zgjedhor. U kujtoj qytetarëve se Europa ka vënë në dispozicion të Shqipërisë një ndihmë prej 1.15 miliardë euro, si për të përballuar pasojat e tërmetit, ashtu dhe për të përballuar pandeminë me të cilën vazhdojmë të ndeshemi”, tha ai.

Meta tha se, “jam i bindur se populli shqiptar vazhdon të gëzojë mbështetjen e Europës, dhe njëkohësisht është i ndërgjegjshëm, se është ai, që do t’i japë zgjidhje të gjitha problemeve, por edhe pengesave të cilat na duhet t’i kalojmë vetëm përmes zgjedhjeve demokratike të 25 prillit”.

I pyetur lidhur me kandidaturat e reja të PS-së, Meta tha se, “në interesin tim si President i Republikës, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve te përfaqësuesit e tyre, që ata të mbrojnë interesat e qytetarit, interesat e publikut, të mbrojnë interesat kombëtare në Kuvendin e ardhshëm, është shumë e rëndësishme që të jenë figura me sa më shumë integritet”.

I pyetur se pas 25 prillit kë do mandatojë për të formuar qeverinë, partinë që ka më shumë vota, apo koalicionin, Meta tha se, “për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, tërësisht me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet”.

“Por njëkohësisht padyshim që do të bëjmë çdo gjë për të ndëshkuar në mënyrën më të merituar cilindo që do të përpiqet jo thjesht të prekë një votë, por që do të përpiqet ta largojë Shqipërinë nga Europa e Bashkuar. Ua kam thënë edhe më përpara dhe po e theksoj përsëri, zgjedhjet janë kryekusht dhe mos besoni asnjë lloj propagande të gënjeshtër”, tha Meta, duke shtuar se nuk duhet të paragjykojmë rezultatet e zgjedhjeve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.