Xhaçka takim me homologen e Bosnjë-Hercegovinës: Koha që BE të ndërmarrë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka pritur sot në takim nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Bisera Turković, në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë.

Ministrja tha se gjatë takimit u diskutua mbi axhendën bilaterale, ku u dakordësua që të vijohet dialogu politik dhe ta intensifikojnë atë duke rritur kontaktet e nivelit të lartë.

“E mirëprita vendimin e Bosnje dhe Hercegovinës për të hapur së afërmi një përfaqësi rezidente në Tiranë dhe ndava me zonjën Turković, dëshirën tonë për të reciprokuar në të ardhmen e afërt. Jam e bindur që ky veprim do të shërbejë si një hap konkret për të çuar përpara marrëdhëniet tona”, tha Xhaçka.

Ajo shprehu besimin se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës ka një potencial të madh, që ende është i pashfrytëzuar. “Ka shumë hapësirë për të krijuar lidhje ende të pashfrytëzuara ekonomike e tregtare, për të rritur investimet por edhe për të rritur shkëmbimet në përgjithësi mes vendeve e popujve tanë. Në këtë aspekt, merr shumë rëndësi finalizimi i disa marrëveshjeve dypalëshe që do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë siç është për shembull ajo e lejeve të drejtimit. Ne ndajmë të njëjtin qëndrim, që komunitetet tona respektive janë një urë lidhëse për të rigjallëruar miqësinë mes dy vendeve, ndaj respektimi dhe integrimi i tyre i mëtejshëm në strukturat social politike duhet të jetë një detyrë për qeveritë tona”, tha ministrja.

Duke u ndalur te procesi i integrimit, Xhaçka tha se, “Shqipëria gjendet në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina pret marrjen e statusit kandidat. Por besoj që është koha, që BE të ndërmarrë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë, duke kuptuar fuqinë që ka ëndrra e integrimit europian në transformimin dhe zhvillimin e rajonit”.

“E sigurova Turković për qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë, e cila përkrah fuqimisht unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë dhe Hercegovinës, procesin e saj të integrimit në NATO dhe BE, duke iu bashkuar përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar në drejtim të nxitjes së reformave të nevojshme politike në vend, për një dinamikë të re në proceset integruese. Qëndrimi ynë është në një linjë me atë të aleatëve tanë, kundër çdo përpjekje për destabilizim dhe retorike separatiste dhe në mbështetje të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit”, theksoi ministrja.

“Ndërkohë që, duke mirëkuptuar specifikat e veçanta të situatës së Bosnjë-Hercegovinës, i kërkova asaj që të shqyrtojnë mundësinë për të gjetur zgjidhje konkrete për disa nga problematikat që lidhen me Kosovën, siç janë nevoja për njohjen e dokumenteve apo nevoja për lehtësimin e procedurave të vizave. E bindur që nga këto zgjidhje do të përfitojë i gjithë rajoni, por edhe vetë Bosnjë-Hercegovina duke nxitur shkëmbimet e tregtinë. E po ashtu, ky do të ishte një moment i përshtatshëm për të rivlerёsuar pozicionin e autoriteteve të Bosnjë dhe Hercegovinës, mbi çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe përfshirjen e saj në organizatat rajonale, veçanërisht në Kartën e Adriatikut”, tha ministrja Xhaçka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.