Vetëm 15 muaj pas tërmetit të fortë që goditi vendin, Kurbini po kthehet në një pol zhvillimi

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Shqalsi Cara deklaroi sot se vetëm 15 muaj pas tërmetit të fortë që goditi vendin Kurbini po kthehet në një pol zhvillimi.

Sot tha Cara, jam e lumtur për qytetarët e mi kurbinas kur kaloj rrugës dhe shikoj sesi shtëpitë e tyre po marrin jetë çdo ditë.

“Tërmeti i 26 nëntorit fatmirësisht në Kurbin nuk shkaktoi humbje jete, por dëme të mëdha materiale. Njerëz të mbetur pa shtëpi, të traumatizuar dhe të pasigurt për të ardhmen. Jo vetëm duhet të kaloja traumën personale e familjare, por më duhej të jepja shembullin e forcës e të jepja mesazhin se gjithçka ka kaluar dhe se do të ringriheshim më të fortë. Kur pashë që familje e kam fatmirësisht shëndoshë e mirë niste përgjegjësia e madhe për qytetarët kurbinas. Më duhej të bëhesha e fortë e të merrja përgjegjësitë. U mblodhëm i gjithë stafi i bashkisë dhe nisëm kontrollin e territorit me mbështetjen e qeverisë, biznesit vendas e miqve të huaj. Arritëm të tejkalonim atë situatë dhe të nisnim punën për evidentimin e dëmeve”, tha kryetarja e bashkisë.

Sot që po flasim, theksoi Cara, as optimisti më i madh nuk do ta parashikonte këtë që po ndodh sot me kantieret e hapura të rindërtimit, ku praktikisht i gjithë qyteti është shndërruar në një kantier të madh.

“Duke filluar me premtimin e mbajtur të qeverisë turke për ndërtimin e 524 apartamenteve të reja e duke vazhduar më tej me projektet e qeverisë shqiptare për lagjen tjetër të qytetit, infrastrukturën e gjithë zonës si dhe përfshirjen e përroit në këtë projekt, spitalin e ri, godinën e re të bashkisë, ndërhyrjet në pallatet me dëmtime më të vogla për riparimin dhe rijetëzimin e tyre, si dhe duke mos harruar 10 shkolla e kopshte që do rindërtohen apo rikonstruktohen totalisht. Gjithashtu ndërtimi i 460 shtëpive private, për të cilat kemi filluar lidhjen e kontratave me banorë që kanë shprehur dëshirën ti ndërtojnë vete dhe ne tu japim atë fondin e miratuar nga qeveria shqiptare sipas familjeve”, theksoi Cara.

Krahas projekteve të rindërtimit, Cara bëri të ditur se vijon puna në kantier për zgjidhjen e një tjetër problemi të madh për qytetin, ujësjellësin e ri.

Kryetarja e bashkisë u shpreh se përmes investimeve i është dhënë zgjidhje edhe përmbytjeve nga përroi që kalon përmes qytetit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.