UKRAINË – Kievi i irrituar pas fyerjes së kryeministrit sllovak

KIEV, 5 mars /ATSH-AFP/ – Autoritetet ukrainase kanë reaguar me nervozizëm ndaj një shakaje fyese të kryeministrit sllovak, i cili sugjeroi se një rajon i Ukrainës duhet t’i jepet Rusisë në këmbim të livrimit të vaksinës së saj kundër koronavirusit.

Kryeministri sllovak, Igor Matoviç u pyet këtë javë në lidhje me atë që ai i premtoi Moskës në këmbim të vaksinës së tij Sputnik V, në një intervistë me një radio lokale.

“Zakarapatia ukrainase”, u përgjigj ai, duke përdorur emrin ukrainas për Zakarpatia, një rajon i Ukrainës në kufi me Sllovakinë, anëtare e BE-së.

Këto deklarata shkaktuan një skandal në Ukrainë, e cila tradicionalisht ka gëzuar marrëdhënie të mira me Sllovakinë, ndërsa Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në 2014 dhe mbështeti një lëvizje të armatosur separatiste në lindje të vendit, në luftë me forcat e Kievit.

“Kjo është absolutisht e papranueshme”, deklaroi zëdhënësi i diplomacisë ukrainase, Oleg Nikolenko.

“Ne i konsiderojmë këto fjalë si fyese pas agresionit rus dhe pushtimit të disa pjesëve të vendit”, shtoi ai.

Ministria ukrainase e Punëve të Jashtme thirri të ngarkuarin me çështjet sllovake për të protestuar.

Matoviç i tërhoqi deklaratat e tij duke kërkuar falje.

“U kërkoj falje ukrainasve për reagimin tim të papërshtatshëm”, shkruan ai në anglisht në Twitter para se të shtonte në gjuhën ukrainase se “Sllovakia është miku yt”. / /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.