Të rinjtë i rikthehen sipërmarrjeve në bujqësi/ Aris: Mora vendimin më të mirë

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Politikat mbështetëse të qeverisë kanë krijuar modele të reja zhvillimi në sektorin rural, duke bërë që të rinjtë të kthejnë vëmendjen tek bujqësia.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillmit Rural, Milva Ekonomi ka sjellë shembullin e një të riu, Aris Islami, që e ka patur tundim për t’u larguar nga Shqipëria, por sot ai ka zgjedhur të punojë në bujqësi tek serrat e prindërve të tij dhe bën apel për të gjithë ata që duan të largohen që ta rimendojnë edhe njëherë.

“Tek serrat vija çdo ditë pas shkolle, më ishte bërë si zakon, derisa para katër vitesh përfundova studimet për financë dhe kontabilitet në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Si çdo i ri edhe unë në fillimet e mia e mendoja veten në një zyrë para një kompjuteri. Më vonë në dallim me shokët e fakultetit, që zgjodhën të iknin jashtë vendit, zgjodha të punoj në bujqësi tek serrat e prindërve të mi. Nuk e mohoj, që gjatë viteve të studimeve e kam patur një tundim për t’u larguar nga Shqipëria. Kjo vinte nga ato bisedat mes shokëve, të cilët punën e fermerit as që nuk e imagjinonin dot. Por tani kur flasim dhe mblidhemi herë pas here, i them që kam marrë vendimin më të mirë. Dhe nëse dikush do më pyeste në lidhje më mundësinë për t’u larguar, me sinqeritet do i sugjeroja ta rimendonte edhe njëherë”, shprehet Islami. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.