Shalsi: Opozita, vazhdimisht “shkopinj nën rrotë” të gjitha reformave të ndërmarra

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, deklaroi sot se “jemi në këtë fushatë për të vijuar atë që kemi nisur, për të vazhduar me transformimin dhe reformimin e thellë të Shqipërisë”.

Në një intervistë televizive, Shalsi theksoi se “kemi ndërmarrë reforma shumë të vështira, por jemi të bindur që kanë qenë të duhurat, si reforma në arsim, reforma në shëndetësi, reforma territoriale por mbi të gjithë reforma në drejtësi”.

Shalsi tha se opozita ka vendosur vazhdimisht ‘shkopinj në rrota’ të gjitha reformave të marra. “Kemi një konseguencë në vazhdimësi për kundërshtim të këtyre reformave”, – nënvizoi Shalsi.

Madje, vijoi ministri Shalsi, kemi edhe deklaratat e një prej krerëve të opozitës, i cili duhet të ishte vetëm President i Republikës, kundër reformës në drejtësi.

“Falë gjithë këtyre reformave Shqipëria është me pranë se kurrë Bashkimit Europian.  Kurrë më parë një kryeministër shqiptar nuk ka pasur raporte të tilla me liderët e Evropës. Kurrë më parë qeveria shqiptare nuk i ka pasur hapur dyert kaq shumë në Bruksel”, tha Shalsi./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.