Rindërtimi premtim i mbajtur/ Ahmetaj: Përfitojnë 45 mijë familje

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se “Programi i Rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë”.

Gjatë prezantimit të programit të Rindërtimit, Ahmetaj tha se “sot jemi 15 muaj nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 që goditi Shqipërinë. Një vit pas konferencës së donatorëve, për Shqipërinë, dhe pak më pak se një vit larg, nga finalizimi i procesit të rindërtimit që është një premtim që ua kemi bërë qytetarëve dhe është një fjalë e mbajtur”.

“Në pranverën 2022 nuk do të ketë asnjë shenjë nga tërmeti në të gjithë territorin e dëmtuar në 11 bashkitë e vendit, – tha ai ndërsa solli në vëmendje se, – shumëkush i ka para syve pamjet e dhimbshme të ditë së parë, kur ekipet e shpëtimit u gjendën aty, përpjekjet e koordinuara të mbështetjes për të shpëtuar jetë njerëzore, akomodimin e familjeve të prekura nga tërmeti dhe vlerësimet e para të banesave të dëmtuara”.

“Ishte angazhimi ynë që asnjë qytetar nuk duhej të mbetej vetëm. Po shumë kush e pa parë me dyshim atë që do të bënim me procesin e rindërtimit, diku diku me të drejtë se ishte një proces që niste nga zero. Në aspektin ligjor procedurial, financiar dhe mbi të gjitha atë njerëzor, si do të trajtoheshin familjet e dëmtuara”, – u shpreh Ahmetaj.

Nga ana tjetër, vijoi ai, eksperienca e vende të tjera flet për procese rindërtimi që zgjasin me vite të tëra.

Ai solli në vëmendje Italinë që u godit nga tërmeti në prill 2009 dhe 8 vite pas tërmetit qendra e qytetit të goditur ishte në ndërtim e sipër, ndërsa zyra e rindërtimit atje njofton se rindërtimi përfundon në 2023. Pra 14 vite pas goditjes. Nepali u godit nga një tërmet i fortë në 2015. 4 vite pas tërmetit ku pjesë e madhe humbën shtëpitë ishin ende të pastreha, edhe në Kashmir, 14 vite më pas goditje nga tërmeti raportoheshin ende familje në prite për tu strehuar. “Apo në Kili ku procesi i rindërtimit për tërmetit zgjati 5 vite dhe qeveria e këtij vendi nuk mori përsipër se do të rindërtonte gjithçka”, – tha Ahmetaj.

Ndërsa vuri në dukje se, “ne e kuptojmë padurimin dhe ankthin e familjeve që një vit pas tërmetit janë ende në pritje të shtëpisë së re. Së dyti ne nuk jemi një vend i pasur por kemi marrë përsipër të ndërtojmë nga e para çdo shtëpi të shembur nga tërmeti dhe falas”.

Ministri bëri të ditur se “brenda një viti nga 11 mijë familje të strehuara në çadra në dhjetor të 2019, sot kemi vetëm 600 të tilla. Nga 6400 familje me bonus qiraje në 2019, sot kemi dyfishin e familjeve me bonus qiraje. Mbi 70 mijë qytetarë, familje e biznese kanë aplikuar në platformën online, “shtëpia ime” për të përfituar nga programet e rindërtimit”.

“Sot janë mbi 27 mijë vlerësime në objekte, nga Instituti Ndërtimit, një punë kolosale. Kemi hartuar 170 akte ligjore që rregullojnë procesin e rindërtimit që ka vendosur njëherë e mirë një standard të ri të ndërtimit spas kritereve Eurokod 8, rezistencë ndaj tërmetit dhe siguri e cilësisë në ndërtim, që garanton akomodim e përshtatshëm për familjet me akses bashkëkohor në shërbime në infrastrukturën publike, eficensë energjetike dhe plotësimin e të gjitha kushteve”, – tha ai.

Sipas tij, rindërtimi është sot aktiv në të 4 programet e tij: banesat qoftë ato individuale, apo pallatet, infrastrukturat publike, grantet e rikonstruksionit dhe objektet arsimore.

Pallatet kanë filluar në Tiranë, Durrës, Kurbin, Thumanë, Lezhë, Fushë-Krujë, Golem.

“Menjëherë pas tërmetit ekipi i përbashkët i KE, BB dhe OKB filluan punën për vlerësimin financiar të dëmeve që u finalizua vitin e kaluar. Me 1.1 miliardë euro dëme, nga të cilat më shumë se gjysma ishin dëme në banesa e pjesa tjetër në objekte arsimore, publike infrastrukturë dhe ekonomi. Konferenca e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel e organizua nga KE në ndihmë në Shqipërisë, mobilizoi një solidaritet të paparë dhe në vlerë monetare që arriti në 1,15 miliardë euro. Në çfarë vendi mund të ndodhte kjo nëse miqtë tanë ndërkombëtar nuk do të kishin dhe kenë, besim tek qeveria që ka marrë përsipër atë barrë të rëndë”, – tha Ahmetaj.

Ai theksoi se, ne garantuam nga 1.15 miliardë euro, 295 milionë euro grante dhe 815 milionë euro kredi nga 50 vende pjesëmarrëse. Sot ne kemi arritur të tërheqim 100 % të grantet e premtuara në Konferencën e Donatorëve.

“Janë 300 milionë euro në projekte dhe transferta buxhetore, duke nisur nga qershori 2020 deri në janar 2021 kemi nënshkruar të gjitha marrëveshjet e grantit, 18 të tilla për zbatimin e 32 projekteve të financuar nga donatorët dhe në zbatim nga Agjencitë e tyre. Qeveria turke po vijon ndërtimin në Kurbin, një ndërtim spektakolar ku përfitojnë 524 familje. BE po vijon ndërtimin e shkollave së bashku me ne, qeveria zvicerane ka mbështetur familjet në Shijak dhe Kurbin me grante etj.

“Jemi në proces për 250 milionë euro kredi të buta nga të cilat 60 milionë euro vijnë nga qeveria franceze për ujësjellësin e Durrësit, 100 milionë euro nga Banka Europian e Investimeve për projektin e banesave sociale, 90 milionë euro nga Italian për bujqësinë, flotën e emergjencave civile dhe energji. Të gjitha familjet që mbeten pa shtëpi nga tërmeti do të marrin një shtëpi të re, më të mirë më të fortë dhe të bukur, falas që ta trashëgojnë në breza ta shesin dhe gëzojnë me të gjitha të drejtat e plota që i takon qytetarit për pronën e tij”, – tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se, rindërtimi është një program unik tërësish social me në qendër qytetarin. Rreth një vit nga finalizimi i procesit të rindërtimit sot e gjithë zona e dëmtuar nga tërmeti në 11 bashki është kantier pune.

Kemi vendosur 62 miliardë lekë nga buxheti shtetit në funksion të programit të rindërtimit sot punohet në 3 100 kantier shkollash çerdhesh kopshtesh, qendra shëndetësore, spitale shtëpi individuale, pallate lagje dhe infrastrukturë.

Janë mbi 24 mijë punëtorë dhe 400 kompani të angazhuara në rindërtim që është kantieri më i madh i punës në këto 30 vite. Nga programi i rindërtimit përfitojnë 45 mijë familje. 33 mijë e 438 familje kanë përfituar grante, para në dorë, nga programi për rikonstruksionin, në vlerën e rreth 12,7 miliardë lekëve, 5 mijë familje marrin banesa të reja individuale që përfundojnë brenda 2021 dhe 12 mijë familje strehohen në lagje të reja që do të jetë ndërtuar brenda pranverës 2022. 28 kantiere të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në 2022 në shërbim të 500 mijë banorëve dhe 160 objekte arsimore përfundojnë në 2022″, – deklaroi Ahmetaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.