“Rindërtimi nuk ndalet”, Veliaj: Legjendat urbane, dëshpërim i atyre që te rrënojat e tërmetit po lënë edhe partitë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Mënyra se si u menaxhua tërmeti i 26 nëntorit flet më shumë se çdo fjalë për aftësinë e një qeverie për të përballuar një prej krizave më të rënda që ka kaluar vendi në dekadat e fundit.

Kryebashkiaku Veliaj, gjatë fjalës së tij në prezantimin e Programit “Rindërtimi nuk ndalet”, u shpreh se, duke e trajtuar këtë fatkeqësi si një mundësi për t’u ringritur, mund të themi se jemi në rrugën e duhur për të dalë faqebardhë nga kjo histori.

“Çdo fatkeqësi është rrezik, por edhe mundësi. Bëmë maksimumin që të minimizonim rrezikun, por e pamë edhe si një mundësi të jashtëzakonshme. Sot flas edhe si kryetar i Shoqatës së Bashkive dhe dua ta falënderoj qeverinë me gjithë zemër, sepse realisht u kthye në një mundësi. Kur as Tirana nuk kishte fuqinë për të bërë gjithë këto vepra të mira, imagjino bashki të vogla si Kavaja, Rrogozhina, apo Shijaku. Do ishte përtej çdo fantazie, ndaj edhe sot ju falenderoj me zemër dhe mezi pres të dalim faqebardhë,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Rindërtimi nuk është vetëm një mundësi që u jepet njëherë në jetë familjeve që humbën shtëpitë nga tërmeti, por është mundësia e madhe për të ngritur shkolla të reja, 40 prej të cilave vetëm në Tiranë, lagje të reja, infrastrukturë të plotë dhe një standard të ri ndërtimor në çdo zonë të prekur.

“Bashkia e Tiranës e kishte ambicien për 17 shkolla, sot kemi kaluar në 40, pra u shtuan edhe 23 të tjera. Do ketë një shkollë më të mirë, një çerdhe, një kopsht, ose infrastrukturë më të mirë. Nëse jeton sot tek “5 Maji”, infrastruktura që do vijë, bashkë me lagjen e re të ndërtimit të posttërmetit, do ketë kanalizime, ujësjellës, rrugë, nënkalime e trotuare që Bashkia sot, me ritmin e saj, ndoshta do t’i bënte pas 10-15 vitesh. Sapo firmosëm 140 kontrata të reja të shtëpive në Kombinat. 340 janë bërë tani në total. Deri në pranverë secili do ketë kontratën e porosisë,” konfirmoi kryetari i Bashkisë.

Legjendat urbane që këto shtëpi do i marrë qeveria, apo që “Samiu” do jetë në Paskuqan janë çmontuar tha Veliaj. “Janë legjenda të dëshpëruara të atyre që te rrënojat e tërmetit po lënë edhe partitë e tyre,” tha kryebashkiaku i Tiranës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.