“Rindërtimi nuk lidhet me zgjedhjet”/ Kantieret e hapura nëpër Shqipëri, punë të nisura më parë

TIRANË, 5 mars/ATSH/Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “procesi i rindërtimit nuk lidhet me zgjedhjet”.

“Shumë kush flet se erdhën zgjedhjet ndaj punoni. Jo, të gjitha këto që sot janë kantiere të hapura nëpër Shqipëri, janë punë të nisura 2-3- 4 apo 5 vite më parë. Ndërkohë që kantieret e ndërtimit janë në një ritëm që është një ritëm për të cilin ndjehemi të qetë para atyre që presin të kthehen në shtëpi”, deklaroi ai.

Në këtë projekt, bëri të ditur ai, kemi future edhe një komponent të strehimit të mirëfilltë ku për çdo kurorë në çdo shtëpi të dëmtuar, e kur nuk është një rast po janë të shumta, ka raste 4 kurora, detyrimi që lind për ne është të ndërtojmë shtëpi për çdo njërën nga kurorat.

“Nuk flasim për pak, por shumë mijëra familje. Thënë të gjitha këto jam shumë krenar që ne po ju kthejmë nxënësve, prindërve e mësuesve shkolla, kopshte e çerdhe që krahasohen me ato që ishin po aq sa mund të krahasohet dita me natën, që mund të gjenden kudo në çdo vend të Bashkimit Europian, ku është standardi më i lartë, jo në çdo vend në tërësi, pasi ka në vende të BE nën këto standarde për të cilat ne jemi shumë krenar sot”, u shpreh ai më tej.

Rama u bëri një apel qytetarëve që në 25 prill të votojnë për Partisë Socialiste, dhe të mos bëhen tifoz të partive.

“Nuk ka rëndësi në fund të fundit se çfarë jam unë, cilën parti përfaqësoj unë dhe se partia që përfaqësoj nuk është ajo që ti do, kur vjen nevoja për të pas në krah qeverinë apo shtetin, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi. Ky tifozllëk na ka mbajtur prapa, por nuk mundet të na ndërpresë punën, jo vetëm që kemi nisur por kemi vazhduar pa pushim e që mund të na japë të gjithëve së bashku Shqipërinë që duam”, deklaroi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.