TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, si drejtues i një prej bashkive më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, u shpreh se, “përmes programit të rindërtimit në një vit të pazakontë kemi bërë punë të jashtëzakonshme”.
Duke folur në takimin për ecurinë e projektit të rindërtimit, ai tha se, “janë ndërtuar 567 banesa të reja individuale falas dhe banorët shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti kanë hyrë tashmë në këto shtëpi të reja të ndërtuara sipas standardeve më të mira”.
Gjithashtu tha ai janë 252 familje që kanë përfituar grantin për rindërtimin e shtëpive të tyre dhe kanë lidhur kontrata për të rindërtuar vetë banesat e tyre.
Ndërsa ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i dëmtimeve (DS1 DS2, DS3) për 27 pallate.
Jan ndërtuar 4 objektet arsimore që u dëmtuan nga tërmeti dhe ka nisur puna për ndërtimin e 30 pallateve të reja, pas përfundimit të studimeve përkatëse.
Brenda vitit 2021 mbaron ndërtimi edhe për 21 pallatet e tjera. Ndërsa 853 familje janë përfituese të bonusit të qirase deri në momentin që do ët hyjnë në banesat e reja që po ndërtohen.
Arbana vlerësoi mbështetjen e qeverisë në rindërtimin e Shijakut pas dëmeve që shkaktoi tërmeti dhe u shpreh se, “kur ka vullnet, ka zgjidhje dhe mendoj se kemi arritur të bëjnë zgjidhjet më të mira për Shijakun”.
/r.e/