Rama i kërkon Di Maios njohjen e patentave të shqiptarëve në Itali

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i pranishëm sot në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, dhe guvernatorin e Puljas, Michele Emiljano, i kërkoi autoriteteve italiane zgjidhjen përfundimtare për njohjen e patentave shqiptare në Itali.

Në fund të fjalës së tij kushtuar 30-vjetorit të arritjes masive të shqiptarëve në brigjet e Pulias në mars ’91, Rama iu drejtua ministrit të Jashtëm italian, Di Maio.

“Nuk kam më për të shtuar, por meqë këtu janë tërë këta gazetarë dhe meqë prej javësh më kanë bombarduar me pyetje, shpresoj që ambasadori të më falë për këtë shkelje të protokollit, dua t’i shfrytëzoj këto sekonda për t’i kërkuar Luigit që të kujdeset për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali, sepse kanë ngecur keq në korridoret mjaft të veçanta të burokracisë italiane”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Ato duhen nxjerrë prej andej, që kështu shqiptarët të mund t’i drejtojnë automjetet në mënyrë të rregullt” tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.