Policia shton kontrollet për festat e 7 dhe 8 Marsit/ 792 qytetarë të gjobitur për shkelje të masave antikovid

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese antikovid, në kuadër të ditëve festive 7 dhe 8 Mars, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në njoftimin zyrtar policia bën të ditur se “në vijim të punës për përmbushjen e detyrave funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë, strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht dhe për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19”.

“Në këtë kuadër, nisur dhe nga  rastet e shkeljes së masave kufizuese të konstatuara nga shërbimet e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar strukturave vendore të Policisë: organizimin, planifikimin, instruktimin dhe drejtimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, për monitorimin e situatës në territor, për të mos lejuar organizimin e grumbullimeve në vende të mbyllura dhe të hapura, gjatë ditëve festive 7 dhe 8 Mars 2021; monitorimin e mbajtjes së detyruar të barrierës mbrojtëse (maskës) nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë; shtimin e kontrolleve në ambientet e lokaleve, bareve, restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit; ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, për festime, mbledhje partiake, ceremoni fetare/martesore, konferenca apo tubime të ndryshme; kufizimin/ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve, fast food-eve, nga ora 20:00 deri në orën 06:00; kufizimin/ndalimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve pa arsye të domosdoshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00”

Po në kuadër të punës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 792 shtetas.

Policia sqaron se, “janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 785 shtetas, për mosvendosjen e maskës mbrojtëse; është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, pronari i një lokali që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë; janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë, 5 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur me këmbë, pas orarit të lejuar”.

Gjithashtu, në qarkun e Dibrës është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një shtetas që ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.