“Nuk do të lëmë kurrë asnjë vetëm”/ Procesi i rindërtimit, konfirmimi i ambicies sonë për Shqipërinë që duam


TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “procesi i rindërtimit është procesi i konfirmimit të ambicies sonë për Shqipërinë që duam, vërtetimi i vërtetësisë së fjalës sonë se ne nuk do të lëmë kurrë asnjë vetëm që nxori në pah një dallim shumë të madh mes nesh e atyre që pretendojnë të kthehen për të marrë një mandat të 5-të, pasi nuk kanë reflektuar e nuk kanë marrë mundimin as të përfshijnë e integrojnë ide të reja”.

“Janë po ato figura, me qasje retorike e ide që kanë dështuar katër herë, e më thoni pse nuk do të dështojnë edhe herën e 5-të? Për të gjithë ata që kujtohen për ato ditë e netë menjëherë pas goditjes nga tërmeti kur njerëzit ishin në rrugë e ne ishim ditë natë për të bërë sistemin e parë, a ka ndonjë që mendon se nëse ajo fatkeqësi bie në 3 të natës mund ta gjejë zgjuar apo zgjojë Lulzim Bashën? A ka ndonjë që mendon se Lul Basha ka fuqi të lërë gjumin e të shfaqet, jo thjeshtë për të dal në televizor, por për të qenë aty deri sa familja e fundit të gjejë një strehë“, deklaroi Rama gjatë një takimi për ecurinë e procesit të Rindërtimit pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Nëse në 25 prill, u shpreh Kryeministri, filli i këtij procesi këputet e fatet e vendit bien në duart e atyre që janë të njohur për shkatërrimet që kanë bërë, ndërkohë që nëse e pyesim veten çfarë garancie kanë dhënë këta njerëz për të besuar finalizimin e këtij program, ecurinë e këtij procesi, transformimi nga ku e kemi thënë po dalim më të fortë, çdo familje e goditur po del më e fortë është e pamundur.

Rama vuri në dukje se, “askush që ende nuk është kthyer në shtëpi, nuk është në kushte të ndryshme nga kushtet e të gjithëve ne që jetojmë në shtëpi, përveç një numri të vogël, afro 500 familje që kanë vendosur të qëndrojnë në çadra, në truallin pranë rrënojës për arsye që lidhen me tokën e bagëtinë e marrin bonusin e qirasë”.

“Ndryshe nga të gjitha vendet e praktikat që kemi parë të vendeve të goditura nga fatkeqësitë, është praktika e parë e dhënies mbrapsh të një shtëpie më të mirë, më të fortë, falas. Kudo praktikat janë të bazuara mbi kreditë e buta bazuar në shpenzimet e familjeve për shtëpitë që marrin mbrapsht, por nocioni 100% falas nuk është përdorur askund”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.