Marrëveshja e koncesionit për aeroportin “Nënë Tereza”/ Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Metës

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit përgjegjës Dekretin e Presidentit “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar”.

Të ftuar për këtë çështje ishin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Enea Karakaci, drejtor juridik në këtë ministri, Bledar Dervishaj këshilltar i Presidentit për Çështjet Ligjore, Ketrin Treska drejtoreshë e përgjithshme e Shërbimit Juridik në Presidencë, Vasilika Vjero zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, Edmond Ahmeti drejtor i Koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Treska në prezantim të këtij dekreti u shpreh se të dyja ministritë përgjegjëse kanë hezituar t’i përcjellin Kreut të Shtetit informacionin e plotë administrativ të krijuar gjatë procesit të paraqitjes dhe vlerësimit të kërkesës për ndryshime të kontratës koncesionare, negocimin, dakordësimin e kësaj nisme legjislative.

Ndërsa, relatori i çështjes Angjeli tha se komisioni e shqyrton dekretin vetëm për çështjet që janë paraqitur në arsyetim për kthimin e ligjit nga presidenti i Republikës dhe më tej relatori shtoi se ky ligj nuk ka prekur interesin publik, nuk është prekur qëndrueshmëria financiare, nuk është shkelur barazia para ligjit dhe akti i paraqitur është në përputhje me Kushtetutën dhe Legjislacioni në fuqi.

Ministrja Balluku në fjalën e saj theksoi se ky akt është kontratë koncesionare dhe negociata është bërë për më shumë se një vit dhe ka qenë e hapur si edhe gjithashtu janë mbajtur hap pas hapi të gjitha të dhënat nga çdo takim që është bërë dhe sigurisht qe gjithë procesi ka pasur transparencë.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e rrëzuan me votë Dekretin e Presidentit të Republikës.

Më tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin ne cilësinë e komisionit për dhënie mendimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”.

Të ftuar për këtë çështje ishin Besart Kadia zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, znj. Joniada Bajraba drejtoresha e Integrimit, Koordinimit dhe Marrëveshjeve, nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare zëvendësministër, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeci zëvendësministre.

Zëvendësministri Tare në prezantim të këtij projektligji, u shpreh se ka për qëllim ratifikimin nga Kuvendi të marrëveshjes së tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, miratuar, në parim, me vendimin nr.1036, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, dhe më datë 5.2.202.

Pas diskutimeve, pyetjeve, përgjigjeve dhe komenteve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, mbledhja e sotme e komisionit zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me kandidatët e vetë ofruar për pozicionin e anëtarit te Bordit te Mbikëqyrjes Publike.

Kandidatët e vetë ofruar ishin Ervin Koci, Klement Mersini, Julian Naqellari, Gjergji Duro, ku prezantuan para komisionit eksperiencën profesionale dhe arsyet e kandidimit në këtë post, përveç Klement Mersini, i cili e kishte të pamundur lidhjen në këtë mbledhje për arsye teknike.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.