Lajm fantastik marrja e aeroportit të Rinasit nga kompani shqiptare si dhe marrëveshja për uljen me 25 % të biletave

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sot një lajm fantastik marrjen në zotërim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”nga një kompani shqiptare, ashtu sikundër edhe marrëveshjen e arritur për uljen me 25 % të tarifave të biletave.

“Lajm fantastik për çdo shqiptar që një kompani shqiptare bleu dhe mori në zotërim aeroportin e Rinasit, pasi u menaxhua dorë pas dore nga të tjerë dhe së fundmi edhe nga kinezet. Ky lajm do të pasohet me lajmin për investime të mëdha që do të bëhen në atë aeroport dhe që do të nisin shumë shpejt për të standardizuar pistën duke e kthyer atë në një pistë me standardet e një piste për të gjitha fluturimet, duke përfshirë edhe ato transoqeanike dhe për të gjitha përmasat e avionëve. Po ashtu do të kryhet ndërtimi i terminalit të ri që ka qenë pritshmëri dhe pjesë e kontratës dhe që nuk u zbatua asnjëherë me ato argumenta e alibi që nxirrte pronari i mëparshëm i aeroportit. Do të bëhet e mundur krijimi i kushteve krejtësisht të reja të sigurisë, pasi e dini shumë mirë çfarë kushtesh sigurie ka patur ai aeroport. Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, lajm fantastik është marrëveshja për uljen me 25 % të çmimeve”, deklaroi Rama.

Sipas Ramës, Rinasi ishte aeroporti më i shtrenjtë, më absurd, që u ka kushtuar shqiptarëve fluturime super të shtrenjta.

“Ka qenë një torturë sepse kishte tarifat më të larta dhe na kërkonin llogari ne. Çfarë mund të bënim ne me një pronar që zbatonte nga pikëpamja tarifore një kontratë koncesionare të lidhur shumë vite më parë, ku shteti ska mundësi të ndërhyjë dhe të japë urdhëra, pasi përfundon nëpër arbitrazhe dhe të kushton një urdhër sa 3 aeroporte të tjera”, shpjegoi Rama.

Sipas kryeministrit, marrëveshja e re ka garantuar një normalizim të çmimeve për pasagjerët dhe me të kryer investimet e me të hyrë në një fazë të re, njerëzit do ta ndjejnë këtë te biletat që do të paguajnë.

“Aeroporti me çmimin më absurd të gazolinës për avion gati dyfish i çmimeve në të gjihtë aeroportet më të mëdha të Europës që i detyronte shqiptarët të merrnin rrugën në shtete fqinje për të kapur fluturim më të lirë. Këto do të vihen në vijë e do të kemi një aeroport me çmime në mesataren e Europës”, vuri në dukje ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.