“Lagjet e reja jo si getot e banesave sociale”/ Tërmeti dhe pandemia, dy sfida që askush tjetër s’do mund t’i përballonte me forcën që po i përballojmë ne

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “shtëpitë individuale po vazhdojnë të ndërtohen dhe lagjet e reja po vazhdojnë të ndërtohen, por nuk janë lagje si getot e banesave sociale, por lagje rezidenciale me standardet më të mira të planifikimit urban, nga ato që jemi mësuar t’i shohim në fotografitë apo resortet për ata që janë të pasur”.

Gjatë aktivitetit, “Rruga drejt 25 Prillit – RINDËRTIMI NUK NDALET”, Rama ndau edhe përjetimin e tij në momentet e marrje së lajmit për tërmetin e fortë që kishte goditur vendin dhe pasigurinë që e kishte pushtuar atë për gjetjen e fondeve për të rindërtuar vendin pas tërmetit.

“U zgjuam nga një tronditje e jashtëzakonshme që lëkundi themelet e shtëpive tona dhe që ngjalli ankthin e madh të asaj çka kishte ndodhur rreth nesh. Shumë shpejt mësova që diku pranë në Durrës tërmeti i 26 nëntorit kishte goditur shumë fort dhe pastaj minutë pas minuti informacioni shtrihej duke krijuar një perimetër që sot e gjithë ditën është perimetri brenda të cilit ne po kurojmë papushim plagët e mëdha të hapura atë natë. Dhe sot kur ne jemi në rrugën drejt 25 prillit dhe shumë kush flet për 8 vite, dëshiroj të bëj një korrigjim në fakt nuk janë ende 8 vite, sepse ne kemi hyrë në zyrë në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 2013, por jo vetëm kaq. Ky mandat ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie shqiptare, pasi është thyer në mes nga tërmeti dhe nga pandemia duke përmbysur të gjitha planet tona, duke përmbysur kalendarët e punës sonë, prioritetet tona dhe duke e kthyer tërësisht vëmendjen në dy drejtime, që na kanë vënë përballë dy sfidave të jashtëzakonshme. E them ndoshta pa modesti, por me një bindje të plotë, dy goditje që do të kishin rrëzuar përtokë një elefant e jo më një qeveri me mjete të kufizuara. Dy sfida të cilat askush tjetër që ju i njihni, i dini kush janë, askush nuk do ta përballonte me forcën, vullnetin e dinjitetin që po i përballojmë ne, Partia Socialiste në qeverisjen e këtij vendi. Realisht kur i jam përgjigjur se do i nxjerr edhe nga dheu pyetjes së bërë nga një gazetar se ku do i gjesh paratë për të kuruar e shëruar gjithë këto plagë, ka qenë fjalë e dalë nga zemra, por që mendja nuk arrinte dot ta mbështeste me argument”, tha Kryeministri.

Rama tha se arritëm të sigurojmë një mbështetje rekord nga Konferenca e Donatorëve që na dha frymë, energji, që na forcoi bindjen se ne do t’ja dilnim.

“Faktikisht e kam bërë me dëshirën më të madhe lypësin, kudo ku kam mundur, duke trokitur në të gjitha dyert e mundshme që nga Perëndimi deri poshtë në Lindjen e Mesme”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër në territor, informoi Rama, po punohej çdo ditë për të mbledhur faktet e regjistruar dëmet.

“Kanë kaluar vetëm 15 muaj dhe a mund të ma thoni, ku është një kompani që e ndërton një pallat për 15 muaj dhe kur them këtë, nuk kam parasysh kohën nga momenti kur shfaqet ekskavatori e deri kur jepen çelësat, por kur nis procesi për ideimin, hartohet projekti e bëhen dokumentet, nis ndërtimi e pastaj ndërtohet. Projekti për ndërtimin e një pallati për një kompani private zgjat 2 vjet nga fillimi i hartimit të tij”, shpjegoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.