Investimet në rrjetin energjetik në Elbasan, Balla: Sistemi i ri me vlerë 2.3 mln dollarë 

TIRANË, 5 mars/ATSH/ 4418 abonentë përfitojnë nga investimi i ri i OSHEE që përfshin disa zona të Elbasanit, Peqinit e Belshit.

Bëhet fjalë për një investim prej 2.3 milionë dollarë i cili do të reduktojë defektet në masën 90% dhe riparimin e tyre në vetëm 20 minuta.

Humbjet në rrjet në këtë zonë ishin 40 % tashmë parashikohet të jenë, jo më shumë se 14 %.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla inspektoi ecurinë e punimeve ndërsa theksoi performancën e shumë të mirë të OSHEE e cila po investon në çdo cep të vendit.

“Falenderoj OSHEE për vijimin e investimeve në zona të ndryshme të qarkut të Elbasanit. Ky është një investim i ndërlidhur që nis në Bradashesh, vijon në Vidhas e Papërr, Peqin e përfundon në Belsh. Vlera e investimit është rreth 2.3 milionë dollarë. Janë 58 kabina në aksin Elbasan-Peqin-Belsh. Totali i kabllove ABC është rreth 114 km, pra historia që energjia ndërpritet prej motit të keq përfundon”, tha Balla.

Ky investim garanton reduktimin e defekteve dhe koha e riparimit në rast defekti është 20 min.

Ky investim në Bradashesh do të përfundojë në kohë shumë të shkurtër. OSHEE tashmë ka një performancë krej tjetër nga ajo e vitit 2013 kur shënonte mbi 45 % humbje në rrjet dhe 50 % arkëtime.

Edhe banorët e zonën vlerësuan investimin në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike i cili do t’i japë  fund problemeve me energjinë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.