GREQI – Qindra njerëz kalojnë natën jashtë, pas një tërmeti tjetër 5,6 ballë Rihter

ATHINË, 5 mars /ATSH-AFP/ – Qindra persona në fshatrat e pjesës qendrore të Greqisë kanë kaluar natën e dytë radhazi në tenda ose automjete, pas tërmetit të fortë që goditi rajonin e Larisas, pa shkaktuar viktima deri tani.

“Fatmirësisht nuk kemi pasur viktima deri tani”, theksoi Chryssoula Katsiouli, punonjëse e bashkisë së Elassonas, një komunë pranë fshatrave të Damasi, Mesochori, Amouri, Domeniko dhe Tyrnavos, të prekur nga tërmetet.

“Tërmeti i së enjtes në mbrëmje shkaktoi një valë tjetër paniku në këto fshatra që ndodhen rreth 250 kilometra në veri të Athinës dhe ku po vendosen tenda për t’iu përgjigjur nevojave të banorëve”, sipas Chryssoula Katsiouli.

“Ne kemi të gjithë shumë frikë, njerëzit kanë dalë sërish në rrugë dje në mbrëmje dhe shumë persona kanë kaluar natën në automjetet e tyre”, theksoi ajo.

Me një magnitudë 5,6 ballë të shkallës Rihter sipas USGS dhe 5,9 sipas Observatorit të Athinës, tërmeti i së enjtes në mbrëmje ndodhi pas atij 6,3 që shkaktoi 11 të plagosur.

Më shumë se 300 shtëpi, kryesisht të vjetra, spitale, shkolla dhe kisha janë dëmtuar dhe qindra tenda janë vendosur në stadiumin e Damasit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.