Basha e Meta përkujtojnë Epopenë e UÇK-së/ Atdhedashuria është e pamposhtshme

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kreu i PD-së, Lulzim Basha kujtoi sot Epopenë e UÇK-së, ku 23 vite më parë më datën 5 mars të vitit 1998, forca serbe me mjete të blinduara, sulmuan shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.

Sulmi që nisi në orën 05:30 të mëngjesit të 5 marsit dhe zgjati tre ditë, u bë simbol i luftës për liri i gjithë popullit të Kosovës  dhe simbol i pavdekshmërisë së heroit kombëtar dhe familjes së tij.

“Dashuria për atdheun mund të shembë kalatë më të forta dhe mund t’i qëndrojë sulmeve më barbare. Kjo e vërtetë e madhe mishëron atë që Adem Jashari dhe familja Jashari bëri për atdheun, Kosovën dhe kombin shqiptar. Jasharët i treguan botës mbarë se atdhedashuria është e pamposhtshme pavarësisht barbarisë së agresorit. Burra, gra e fëmijë ranë heroikisht duke vënë gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur”, shprehet Basha.

“Sot nderojmë epopenë e lavdishme të UÇK-së, të vetëdijshëm se kemi akoma rrugë për të bërë deri në përmbushjen e amanetit të heronjve tanë. Jam i sigurt se sakrificat e martirëve tanë në të dy anët e kufirit janë themel i fortë mbi të cilin do të ndërtojmë të sotmen e të nesërmen, me dinjitetin dhe përkatësinë tonë europiane. Mbarë kombi ynë përulet sot me nderim përpara sakrificës sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë”, tha ai.

Edhe presidenti Ilir Meta shprehu mirënjohje përjetë dhe nderimin më të lartë për sakrificën sublime të Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes Jashari, që frymëzon kombin në çdo kohë për mbështetje të palëkundur të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të kombit, që ashtu si Jasharët e Drenicës martire 23 vjet më parë, i treguan mbarë botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët”, u shpreh Meta.
“Të ardhmen e sigurtë europiane kombi ynë do t’ja dalë ta ndërtojë mbështetur mbi sakrificat e Dëshmorëve dhe mbrojtjes së vlerave më të larta që trashëgojmë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.