Eksodi i marsit ’91 drejt Italisë/ Rama: Shpirti i zemërgjerësisë dhe solidaritetit të popullit italian fitoi ndaj fushatave të urrejtjes

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë në Itali ku u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio dhe presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano me të cilët pati edhe një komunikim për mediet.

“Më falni nëse ndihem i emocionuar nga kjo mikpritje, që ndoshta do të meritoja si italiani më i gjatë mes shqiptarëve, por megjithatë ndjehem i nderuar që të jem mes dy shqiptarëve më të mirë mes italianëve. E them këtë gjë për demonstrimin e zemërgjerësisë ndaj Shqipërisë, jo vetëm kur ka diell dhe kur deti na fton, por edhe kur ka edhe momente, ato momente të vështira, që vënë në dukje miqësinë e vërtetë”, u shpreh kryeministri Rama.

“Ndërsa zbrisja nga avioni shikoja këtë mikpritje të pabesueshme, më kujtohej një një këngë italiane, e cila në mos gaboj thoshte ”kalojnë vitet mes furtunave dhe dhimbjeve” dhe janë 30 vjet, e pastaj shkojnë në drejtime te ndryshme, por janë 30 vjet, që kur shqiptarët morën anijet për të mbërritur në anën tjetër të detit, dhe kështu në 30 vjet kanë ndodhur shumë gjera, ka pasur shumë furtuna dhe vështirësi për shqiptarët, por shumë sinqerisht edhe shumë zemërgjerësi, shumë Itali për Shqipërinë dhe jam i sigurtë që kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet nga brezat e ardhshëm”, vijoi Rama.

“Dhe në këtë moment këtë dua të them veçse faleminderit, për të gjithë ata italianë në përgjithësi dhe puljezët në veçanti, njerëzit e thjeshtë, familjet e tyre, që hapën dyert e pritën ata të panjohur, shumë të ndryshëm, që shpesh frikësonin, ku mbi atë frikë pastaj u bënë edhe fushata urrejtje, por ja që urrejtja nuk fitoi, por fitoi shpirti i zemërgjerësisë dhe shpirti i solidaritetit të popullit italian dhe institucioneve të tyre. Ato institucioneve që gjithë këto vite kanë qënë pranë Shqipërisë, dhe pavarësisht nga ngjyra e atyre që kanë qeverisur nga pikëpamja politike, nuk ka pasur kurrë një ngjyrë në marrëdhëniet tona 30-vjeçare përveç atyre të dashurisë dhe miqësisë”, theksoi kryeministri Rama.

“Pa u bërë patetik, dua t’i them falemnderit edhe për atë që Luigi ka bërë personalisht, po ashtu edhe atë që ka bërë Michele, kur 15 muaj më parë Shqipëria u godit nga një tërmet i tmerrshëm. Italia qe pranë nesh nëpërmjet zjarrfikësve të saj të pabesueshëm, por sidomos nëpërmjet pranisë së saj si në territorin tonë, ashtu edhe në atë europian për të nderuar tërë fjalët e bukura të thëna gjatë këtyre 30 vjetëve, të tilla si “Shqipëria është pjesë e Europës”, “Shqipëria është Europë” dhe “Për Italinë, Shqipëria është veçse pjesa tjetër e të njëjtit det”, u shpreh Rama.

“Nuk do të mund të them asnjëherë mjaftueshëm fjalë për të falenderuar këta dy persona, për angazhimin e tyre, për mënyrën se si u angazhua Luigi, duke u shndërruar me të vërtetë në avokatin më të madh të popullit shqiptar në një çast mjaft të errët, por jo vetëm në atë çast. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ai ka qenë me të vërtetë një mik me pesë yje!”, vuri në dukje kryeministri Rama.

“Unë uroj që ne të mund të jemi në lartësinë e kësaj miqësie. Uroj që të mos keni kurrë nevojë për ne, por, nëse do të jetë e nevojshme, ne do të jemi aty, të nderuar që të ndodhemi pranë jush. Dëshiroj që fjalët e fundit të jenë për shifrën që përmendi Luigi. Janë gjysmë milion shqiptarë, që sot jo vetëm jetojnë, punojnë, por edhe kontribuojnë në ekonominë italiane. Janë 50 mijë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të krijuara nga shqiptarët, që paguajnë kontributet e tyre të taksave italiane. Janë me mijëra të rinjtë që studiojnë në universitetet italiane dhe duke qenë se neve italishtja na vjen natyrshëm si gjuhë e dytë, ata janë gjithnjë në përparësi në krahasim me studentët gjermanë, holandezë apo studentët e tjerë që studiojnë në Itali. Nuk ndodh shpesh në vende të tjera, por në Itali jemi në këtë nivel: të parët në përsosmëri”, tha ai.

“Dhe e gjithë kjo është bërë e mundur falë gjithçkaje që thashë deri tani, falë kësaj gatishmërie të pabesueshme, që i ka rrënjët e saj në traditën italiane, në historinë e Italisë dhe padyshim edhe në shpirtin italian”, theksoi Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.