“Durrësi model në procesin e rindërtimit”/ Sako: Grante rikonstruksioni për 10.000 familje

TIRANË, 5 mars /ATSH – Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako deklaroi sot  se “kemi 10.000 familje që kanë marrë grantin kesh për të bërë riparimet e vogla dhe të mesme në banesat e tyre”.

Gjatë aktivitetit, “Rruga drejt 25 Prillit – RINDËRTIMI NUK NDALET”, Sako tha se “më 6 mars të 2020 ka përfunduar edhe procesi i aplikimit që qytetarët bënë në lidhje me dëmet e tërmetit kështu që mund të themi se jemi një vit nga procesi i aplikimit dhe implementimit të procesit të rindërtimit”.

“Brenda këtij viti në kemi mbështetur qytetarët e Durrësit nëpërmjet qeverisë shqiptare me grante dhe të gjitha Programet e Rindërtimit. Sot kemi 10.000 familje që kanë marrë grantin kesh për të bërë riparimet e vogla dhe të mesme në banesat e tyre. Gjatë 2020 kemi dhënë bonus qiraje për 4800 familje të cilat kanë qenë të pastreha. Gjithashtu në muajin nëntor kemi filluar një punë që po shkon shumë mirë dhe po kryejmë riparimet në ambientet e përbashkëta dhe në fasadat e objekteve duke kthyer në normalitet jetën e 6000 banorëve të cilët do të përfitojnë nga riparimi i 600 pallateve. Aktualisht kemi përfunduar 400 prej tyre dhe procesi po vijon dhe deri në fund të muajt mars ku përfundon edhe programi”, tha ajo.

Sako theksoi se “edhe banesat individuale në qytetin e Durrësit që kanë një punë shumë të mirë dhe janë rreth 500 objekte kryesisht në Manëz dhe Ishëm, kurse atje ku terreni është i vështirë ne i kemi dhënë mundësinë qytetarëve që ta marrin grantin kesh dhe të bëjnë rindërtimin e banesës. Kemi gjithashtu Manzën dhe Spitallën, ku do të ndërtohen dy zona të reja model, jo vetëm për strehim por do të ketë edhe shërbime si shkolla, kopshte, qendra shëndetësore dhe qendra sociale të cilat janë në prag për të filluar punën”.

“Kemi gjithashtu 2000 apartamente që do të ndërtohen nga e para në Durrës. Në këtë proces kemi pasur edhe mbështetjen e njerëzve dhe jemi të impenjuar të vazhdojmë deri në dorëzimin e çelësit të fundit, në banesën e fundit të qytetarit që është i pastrehë”, tha Sako duke shtuar se “Durrësi ka qenë model për procesin e rindërtimit nga tërmeti”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.