NIKOZIA, 5 mars /ATSH-AFP/ – Duke filluar nga 1 maji, ishulli i Qipros do të jetë i gatshëm të mirëpresë turistët britanikë, për sa kohë që ata janë të vaksinuar, edhe pse kufizimet e udhëtimit nga Britania e Madhe do të jenë akoma në fuqi të paktën edhe për dy javë.
Zëvendësministri i Turizmit i Qipros, Savvas Perdios deklaroi se vendi do të lejojë britanikët të cilët kanë marrë vaksina të miratuara nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA) të hyjnë në vend pa pasur nevojë për një test negativ ose karantinë, njoftoi BBC News në internet, duke theksuar se nuk është ende e qartë se si turistëve do t’u kërkohet të provojnë se kanë marrë të dyja dozat e serumit.
“Turistët britanikë përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve në ishull. Në vitin 2019 ata regjistruan mbi një milion vizitorë”, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare./ /ec/