Bardhi: Prioriteti ynë nuk do të jenë 10 vetë, por 3 milionë shqiptarë

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ilirian Leka është invalid dhe është i pamundur prej vitit 1988 prej dëmtimit të shtyllës kurrizore. Jeton në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan me 100 mijë lekë të vjetra në muaj.

Qeveria i ka hequr pagesën e kujdestarisë që e merrte i vëllai, sepse ai e ndihmon dhe i shërben. Iliriani ende nuk e di dhe askush nuk ia ka sqaruar pse ka ndodhur kjo, njoftoi sot zyra për shtyp e PD.

Drejtuesi politik për Elbasanin, Gazment Bardhi gjatë një bisede me Ilirianin, ndau me të shqetësimet dhe i tregoi për planin që ka PD për personat me aftësi ndryshe.

“Ky është një nga ato raste që dëshmon të kundërtën e asaj që dëgjojmë prej 8 vitesh nga propaganda e qeverisë. Ja çfarë ndodh, ua heqin paratë ju dhe ua japin 10 vetëve”, shprehet Bardhi. Ai shton se programi i PD adreson këto problematike dhe parashikon rritjen e mbështetjen për invalidët dhe kujdestarinë.

“Kjo do të ndryshojë pas 25 prillit. Ne nuk do kemi prioritet 10 vetë që marrin gjithë paratë e shtetit, por do kemi prioritet 3 milionë shqiptarët”, pohoi Bardhi.

Bardhi theksoi se paratë janë dhe pyetja se ku do i marrin për të rritur pensionet apo pagesat për njerëzit në nevojë, është shumë e thjeshtë. “Do t’ua marrim atyre 10 vetëve që kanë gjithë buxhetin”.

Drejtuesi politik thotë se me 25 prill ka ardhur koha për të ndryshuar krejt modelin politik. “Pas 4 viteve, ne do të japim llogari, do të përgjigjemi për realizimin e programit. Kush nuk mban premtimet, të mos votohet”, deklaroi Bardhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.