“Aeroporti i Vlorës do akomodojë fluturime transoqeanike”/ Balluku: Shtëpia e “Air Albania”

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se, “sot është një ditë e shënuar, pasi jetësojmë aeroportin e Vlorës duke mbyllur procesin e konkurrimit dhe duke nisur kështu fazën e negocimit për ndërtimin e tij”.

Balluku tha se, “vijmë sot në garën për aeroportin e Vlorës, pas një viti të vështirë dhe ne ia dolën që aviacioni, megjithëse ishte një nga fushat më të prekura nga situata e pandemisë, që siç shprehen edhe institucionet ndërkombëtare, aviacionit do t’i duhen 3-5 vjet për t’u rimëkëmbur. Por që ne shpresojmë se gjatë kësaj kohe të rimëkëmbjes të ndërtojmë aeroportet që kemi premtuar në territorin e Shqipërisë”.

Ajo tha se, “sot është një ditë e shënuar, pasi njëri prej tyre jetësohet duke mbyllur procesin e konkurrimit duke nisur kështu fazën e negocimit”.

Duke u ndalur në historikun e aeroportit të Vlorës si një nga premtimet e qeverisë Rama, Balluku tha se, tashmë mund ta quajmë premtim të mbajtur, po që ka kaluar një kalvar të gjatë ndikuar nga situate e pandemisë.

“E kemi shpallur këtë garë në 19 nëntor të 2019 dhe duhej të përmbyllej në 12 mars 2020, por për shkak të mbylljes nga pandemia gjithë procesin për këtë vepër e ngrimë në fazë të dytë”.

Ishte një moment i mirë, tha ajo, pasi të gjithë ato pyetje që na vinin na dha kohë, që shumë aktorë të rëndësishëm të aviacionit europian të ishin pjesëmarrës në këtë garë dhe kishin interes për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

Balluku tha se, situata e pandemisë ka prekur industrinë e aviacionit në të gjithë botën ç’ka ka ndikuar edhe në ndryshimin e disa kritereve në garën për aeroportin e Vlorë. Por theksoi ajo kemi analizuar çdo detaj për ti dhënë Vlorës një investim të vërtetë, dinjitoz ambicioz me standarde europiane.

“Fatkeqësish ngrirja zgjati për muaj të tërë dhe procedura u rihap më 24 nëntor 2020. Për shkak të ankimimeve nga operatorët sigurisht tashmë me kushte të ndryshuar, pasi të gjitha shifrat e aviacionit kanë ndryshuar, pavarësisht se 2019 ishte një nga vitet më të mira të dekadës së fundit për sektorin e aviacionit  për sa i takon numrit të fluturimeve dhe të ardhurave në këtë industri, por goditja që është marrë nga pandemia ka bërë që shumë nga operatorët e njohur të aeroporteve europiane apo dhe investitorë ndërtimi të aeroporteve ta kishin të pamundur të kapnin ato kritere që kishim vendosur”, – tha ministrja.

Balluku theksoi se, “na është dashur të rishikojmë edhe shtyrje të vogla deri sa oferta u rihap në 1 shkurt. Kemi marrë një kohë të gjatë për të analizuar të gjitha dokumentacionet që kemi pasur në dispozicion, e kemi bërë këtë për të qenë të qetë dhe t’i japin Vlorës një investim të vërtetë”

“Jemi mundur që fituesi të ketë kapacitetet financiare për të ndërtuar një aeroport që synon të jetë një ndër aeroportet më të rëndësishëm në vend . Kriteret teknike që kemi vendosur janë të atilla që duhet të përmbushin ato të kategorisë 4E, që është një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista që duhet të jetë 3,2 km dhe deri tek sipërfaqet terminalit dhe të gjithë facilitetet e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë”, – deklaroi ministrja.

“Kemi dizenjuar për këtë aeroport që në të ardhmen të jetë edhe shtëpia e “Air Albania”, ashtu siç i përket Vlorës dhe flamurit që “Air Albania” mban. Por gjithashtu ky aeroport do të ketë disa pjesë të reja të aviacionit, deri më sot jo ekzistuese në Shqipëri”, – vijoi ajo.

Balluku tha se, “një industri e re ajo e mirëmbajtjes së avionëve, ka treguar interes prej vitesh,  por tashmë është mundësia e vërtetë për ta akomoduar atë në aeroportin e ri të Vlorës, duke krijuar një sektor të ri brenda industrisë së aviacionit”.

Ajo vuri në dukje se, “fakti që ne në negocimin e kontratës për sa i takon aeroportit të Tiranës dhe shtimit të investimit në atë aeroport me 99.3 milionë euro. Hapja e aeroportit të Kukësit vetëm pak javë nga ky moment, nisja e operimit atje, pasi kemi bërë fluturimet testues dhe gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet, dhe për më tepër tashmë edhe me pjesën e negocimit të kësaj kontrate, për ta lidhur tashmë jo më vonë se 30 ditë, kontratën për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, aviacioni shqiptar futet në një fazë të re”.

“Një fazë, theksoi ajo, të cilën e kemi premtuar në shtator 2019, dhe tashmë përmbyllet suksesshëm edhe me kontratën për aeroportin e Vlorës duke na lënë mundësinë të nisim një punë të re për sa i përket aeroportit të Sarandës.

Një aeroport sezonal i cili do të plotësojë kurorën e të gjitha aeroporteve që ne kemi dizenjur dhe specifikuar nga veriu me Kukësin, në qendër me Tiranën, në jug me Vlorës dhe jugun fundor me aeroportin e Sarandës dhe pse jo kemi nisur nga puna për dizenjimin e një studimi fizibiliteti për aeroportin e Korçës, duke qenë se sinjali turistik atje është mjaft i madh”, tha Balluku, ndërsa vlerësoi punën voluminoze që është bërë nga ana e komisionit të vlerësimit të dokumentacionit të kompanive konkurruese.

“Kemi analizuar në çdo detaj të gjithë dokumentacionin duke kërkuar saktësime nga institucionet ndërkombëtare për punët që kanë kryer garuesit kudo në botë. Mendoj se është një moment historik për aeroportin e Vlorës”, – tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.