30 vjet nga eksodi drejt Italisë/ Rama viziton ekspozitën në Bari: Moment reflektimi mbi rolin e peshën e emigracionit në marrëdhëniet vëllazërore me Italinë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Bari, Itali, në çeljen e një ekspozite të organizuar në përkujtim të eksodit të shqiptarëve në vitin 1991.

Në ekspozitë, kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi di Maio.

Kreu i qeverisë e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite një moment përkujtimi tre dekada pas nisjes së emigracionit shqiptar drejt Puljas dhe reflektimi mbi rolin e peshën e emigracionit në jetën e shqiptarëve.

“Bari – Në përurimin e ekspozitës së eksodit 1991, një moment përkujtimi tre dekada pas nisjes së emigracionit shqiptar drejt Puljas dhe reflektimi mbi rolin e peshën e emigracionit në jetën e shqiptarëve dhe në marrëdhëniet vëllazërore me Italinë”, – shprehet Rama.

Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë në Itali ku u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio dhe presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano. 

Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të Shqipërisë.

Vetëm në javën e parë të atij viti, në portin e Brindizit (Itali) janë ankoruar 24 mjete lundruese të madhësive të ndryshme, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.