​Zemaj: Së shpejt nis vaksinimi në Kosovë

PRISHTINË, 5 mars/ATSH/- Me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për zbatimin e masave anti-COVID, si dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit, sot Ministria e Shëndetësisë ka lancuar nismën “Bashkë Kundër COVID-19”, ku edhe njëherë u tha se shpejt në Kosovë do nis vaksinimi i qytetarëve kundër kësaj pandemie.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se përmes kësaj fushate dërgohen mesazhe të qarta për zbatim të masave anti-COVID. Po ashtu, me këtë kampanjë synohet të rritet niveli i vetëdijes së qytetarëve për vaksinimin, i cili siç tha ai pritet të nis së shpejti në Kosovë.

“Lançimi i një fushate me mesazhe të qarta që bënë thirrje për zbatim të masave në fuqi dhe përgatitjen për fazat e mëtejme të kontrollit dhe luftimit të pandemisë, është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të vazhduar me aktivitetet që synim primar ka mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës sonë me fokus parandalimin apo shkëputjen e zinxhirit të përhapjes së mëtejmë të infeksionit…. Fushata ‘Bashkë Kundër COVID-19’ është një dëshmi e këtij përkushtimi dhe ne besojmë që ajo do ketë ndikim në uljen e numrit të infeksioneve me COVID, përmes ngritjes së vetëdijes për masat në fuqi higjiena, bartja e maskës dhe distancës. Gjithashtu, do ngrejë nivelin e njohurive të popullatës sonë për rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 që pritet të filloj shumë shpejt edhe në vendin tonë“, theksoi Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se përmes kësaj kampanja po synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës për zbatimin e masave anti-COVID.

Ai po ashtu deklaroi se me fushatën “Bashkë Kundër COVID-19”, ka për qëllim edhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër kësaj pandemie.

Koordinatorja për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se tash e sa kohë virusi ka nxjerr në pah dobësitë që i kemi dhe ku duhet të punohet.

Sipas saj, tashmë është një fazë kritike dhe nuk është koha për t’u çlodhur, pasi sistemi shëndetësor është i lodhur dhe respektimi i masave anti-COVID është tejet i rëndësishëm.

Fushata “Bashkë Kundër COVID-19”, financohet nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ministrinë e Shëndetësisë, IKSHP-në dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në 24 orëshin e fundit pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 591 raste, ndërsa janë raportuar 7 raste të vdekjes si pasojë e infektimit me SARS CoV-2. Ndërsa, Kosova është I vetmi vend në rajon I cili nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër pandemisë. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.