Vokshi me të rinjtë në Laprakë: Në 25 prill keni në dorë të ardhmen

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Koordinatorja e PD, Albana Vokshi bisedoi sot me të rinjtë në Laprakë, duke kërkuar angazhimin e plotë të tyre në këtë fushatë, si mënyra më e mirë për të sjellë shpresë dhe besim tek qytetarët.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte ajo e largimit të të rinjve nga vendi gjatë këtyre 8 viteve.

“Në 8 vite, 180 mijë të rinj janë larguar, sepse e vetmja alternativa që u jepte Edi Rama ishte mungesa e arsimit, mungesa e punësimit. Praktikisht e braktisi rininë. Praktikisht ju la në baltë. Pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare e la në baltë. Ju largoi ju që të fusë trafikantin e drogës dhe të qenieve njerëzore, vrasësin, kriminelin. Çfarë ju dha juve të rinjve në këto 8 vite? A është ndonjëri prej jush i punësuar në këto 8 vite? Sigurisht që jo. Ju la pa punë, ju la rrugëve, që ju të ikni”, tha Vokshi.

Vokshi vuri në dukje se fenomenit shkatërrues të largimit të rinisë dhe vendit duhet t’i jepet fund me zgjedhjen e një qeverie të përgjegjshme, që ka prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve.

“Jam e sigurt se jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë të rinjtë nuk do t’i besojnë me as edhe një sekondë Edi Ramës si kryeministër. Në datën 25, me votën tuaj do të votoni një qeverisje që do të jetë e përgjegjshme. Do të votoni alternativën për rininë, që është alternativa e Partisë Demokratike, me kryeministër Lulzim Bashën, që ka vizionin dhe vullnetin për mbështetjen e rinisë”, tha Albana Vokshi.

Vokshi i njohu të rinjtë me detaje nga programi për arsimin dhe punësimin të PD, i cili i mbështet ata me bursa gjithë kohën dhe me stazh të paguar pas mbarimit të saj.

“Nuk do të varet studimi juaj nga xhepi i prindërve, por thjesht nga vullneti juaj për të mësuar. Ju jeni një fokus të programit të PD, sepse ju jeni energjia dhe forca për të bërë këtë ndryshim në 25 prill”, u shpreh ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.