Transformimi i Urgjencës Kombëtare/ U reduktua me më shumë se dy herë koha mesatare e mbërritjes në vendin e urgjencës

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot kemi një Urgjencë Kombëtare të dixhitalizuar, të qendërzuar, të transformuar, e cila me 100 autoambulanca të reja, ofron mbulim në të gjithë territorin.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama u shpreh se, “a ju kujtohet çfarë ishte Urgjenca? A ju kujtohet kur merrnit në telefon edhe binte zilja e nuk e ngrinte njeri? Apo kur dilte e zënë, sepse ai që ishte matanë fillit të zi të atyre telefonave të zinj të kohës së qepës, e kishte telefonin të varur në fill e ia kishte futur gjumit afër telefonit si Luli?”.

““Sot e kemi një urgjencë kombëtare të dixhitalizuar, të qendërzuar, të transformuar, e cila me 100 autoambulanca të reja, ofron mbulim në të gjithë territorin. Dhe jo vetëm ofron mbulim në të gjithë territorin në sensin e lëvizjes së makinave për të shkuar në vendin e urgjencës, por ajo që është dhe më e rëndësishme, shërbimi është i gjithi i monitoruar. Pra të gjitha telefonatat, thirrjet, përgjigjet, lëvizjet e makinave, arritjet në vend, bisedat, janë të incizuara dhe nuk ka asnjë mundësi që në gjithë këtë mori veprimesh detaji më i vogël të mbetet jashtë vëmendjes”, tha Rama.

“Nga ana tjetër ka një fakt, – shtoi Kryeministri, – është reduktuar me dy herë dhe me më shumë se dy herë koha mesatare e mbërritjes së urgjencës në vendin e urgjencës në rang vendi. Urgjencë kardiake, miniinvazive, 24 orë, 7 ditë të javës. Urgjencë kardiovaksulare cerebrale, 24 orë, 7 ditë të javës. Urgjencë mjekësore funksionale, 24 orë, 7 ditë të javës. Dhe autoambulancat pavione të vogla lëvizëse”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.