“S’mund t’i besohet finalja e luftës antikovid koalicionit tragjiko-komik”/ Halim Kosova e tha publikisht se cilët janë ata

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se, “në këtë udhëkryq të luftës kundër kovidit nuk mund t’i besohet fati i finales së kësaj lufte atyre që firmosën atë koalicionin tragjiko-komik”.

Në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama tha se, “a mundet në këtë udhëkryq t’i besohet fati i finales së kësaj lufte atyre që firmosën atë koalicionin tragjiko-komik. Atyre që qysh nga dita e parë e luftës nuk u rreshtuan një herë bashkë me ne pranë jush. Atyre që qysh nga dita e parë e kësaj lufte zgjodhën të bëhen aleatë me COVID-in vetëm e vetëm se COVID-i ishte armiku i deklaruar i kësaj qeverie. Atyre që qysh nga dita e parë e kësaj lufte nuk humbën asnjë ditë pa hedhur baltë, pa shpifur, pa akuzuar dhe nxitur panik, pa krijuar alarm, vetëm e vetëm për politikë”.

“A mund t’ju besohet atyre faza finale e kësaj lufte në udhëkryq të 25 prillit, kur personaliteti i tyre më i njohur, më i respektuar, dhe më i dashur, doktor Halim Kosova, del e thotë publikisht se ku janë ata në raport me këtë luftë dhe cilët janë ata që japin mend dhe bëjnë akuza në mes të kësaj lufte”, – vijoi ai.

Kryeministri deklaroi se, “unë them jo, nuk mund t’i besohet atyre vazhdimi i asnjë prej punëve që kemi nisur. Nuk mund t’i besohet atyre fati i drejtësisë. Jo për 4 vitet e ardhshme, por për një gjeneratë tjetër. Po si mund t’ju besohet atyre fati i luftës në këtë përballje, për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë. Dhe këtu përballemi me një luftë që nuk zgjedh demokratë apo socialistë, nuk sheh majtas dhe djathtas, nuk do t’ja dijë se nga vjen, se nga vjen e kë ke, se sa ke, por godet”.

“E pra ashtu sikurse ky armik i padukshëm, nuk na ndan, por na godet, nga të katër anët, ashtu edhe ne nuk duhet të ndahemi, por duhet të jemi të bashkuar nga të katër anët duke lënë pas krahëve politikën dhe duke u përqendruar, tek lufta për shëndetin”, – u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se, demaskimi i shëmbëlltyrës së shpifur të sanitares që hiqej si infermiere është një lajm i mirë për faktin që u spastrua nga organizmi i sistemit tonë shëndetësor një bandë e mirëfilltë.

“Sot unë jam me simbolin e kësaj lufte, heroinë të vijës së zjarrit me një imazh të mirënjohur për të gjithë ju me profesoreshën komandanten e spitalit COVID 1, Najada Çomo, të cilën e kam ftuar për të sjellë një dëshmi ndryshe nga vija e zjarrit, në kushtet kur solidariteti, mbështetja, respekti e mirënjohja e shumicës dërmuese të qytetarëve, kaq e domosdoshme për ata që qëndrojnë 24 orë në 7 ditë të javës, prej një viti në atë barrikadë, por ku fatkeqësisht ndjehen, arrijnë, prekin, shqetësojnë, godasin, dëmtojnë valët e energjive negative. Energjitë negative të shumëkujt që nuk mendohet dy herë, të shumëkujt që nuk konsultohet me zemrën, nuk merr një vendim të dytë nga mendja, por lëshohet me gjuhën e shthurur dhe i fut të gjithë në një thes”, tha Rama.

Dua të them vijoi  ai, që për mua shëmbëlltyra e shpifur e asaj sanitares që hiqej si infermiere dhe që u demaskua botërisht, nga një emision investigative është një lajm i mirë.

“Është një lajm i mirë për faktin që u spastrua nga organizmi i sistemit tonë shëndetësor një bandë e mirëfilltë. Natyrisht që as nuk mund ta vë në dyshim dhe jo më ta pretendojë, se kjo bandë e mirëfilltë, ishte një fenomen krejtësisht i izoluar, krejt i veçantë, unikal dhe në se në atë organizëm nuk ka të tjerë batakçinjtë, nuk ka të tjera shëmbëlltyra të ngjashme, me atë shëmbëlltyrë të mosozotshme. Por nga ana tjetër është e pamundur që unë ta pranoj dhe është e pajustifikueshme për një njeri, për këto që i thotë vetes njeri, që për shkak të asaj neverie plotësisht të justifikueshme t’i fusë të gjithë në një thes dhe të shohë tek çdo mjek një të dyshuar. Të shohë tek çdo infermier një të akuzuar dhe të shohë tek e gjithë kjo trupë një arsye për të sulmuar. Kjo është e pajustifikueshme. Sot jemi këtu për të folur se nga vijmë e ku jemi, dhe natyrisht që në siparin e betejës që do hapim do të flasim ku do të shkojmë dhe çfarë do të bëjmë dhe sigurisht edhe për këtë fenomen, dhe për të thelluar deri në fund pastrimin e këtyre tumoreve në organizmin e shëndetshëm të sistemit tonë shëndetësor, që në asnjë mënyrë nuk duhet lënë të kapet nga këto tumore që janë reduktuar në mënyrë shumë të ndjeshme në krahasim me disa vite më parë”, – deklaroi Rama.

Ndërsa shtoi se, ashtu siç ishin strukturat e jashtme të spitaleve, ashtu ishin edhe brenda sistemit gjërat se si funksionojnë. Sot sistemi funksionon më mirë, po ende është larg së qeni një sistem mirëfilli funksional kur vjen puna në këtë aspekt.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.