“Shqipëria nuk ka asnjë kusht”/ Komiteti i Politikës së Jashtme të PE: Të mbahet pa humbur kohë Konferenca Ndërqeveritare

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian ka miratuar në parim raportin e përgatitur nga eurodeputetja Isabel Santos, ku i kërkohet Këshillit Europian “mbajtja pa humbur kohë e Konferencës së Parë ndërqeveritare me Shqipërinë”.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka falënderuar sot raporteren e PE-së për Shqipërinë, Isabel Santos për miratimin në parim nga Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian të mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Balla bëri të ditur se, “sapo falenderova përmes një telefonate Raporteren për Shqipërinë zonjën Isabel Santos, teksa Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian miratoi në parim (vazhdon votimi i amendamenteve – online) raportin e përgatitur nga eurodeputetja Santos, ku i kërkohet Këshillit Europian “mbajtja pa humbur kohë e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, duke rikonfirmuar vlerësimin shterues të Komisionit Europian se Shqipëria nuk ka më as kushte dhe asnjë detyrë të papërmbushur që të lidhet me Konferencën”.

Raporti, theksoi Balla, do të miratohet në seancën plenare të javës së fundit të marsit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.