Shefja e Infektivit: Stafet mjekësore të spitaleve COVID, punë gjigante me përkushtim dhe profesionalizëm

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, theksoi sot se, “nga stafi mjekësor në spitalet Covid është bërë një punë gjigante me përkushtim dhe profesionalizëm”.

Në fjalën e  saj në aktivitetin e organizuar “Rruga drejt 25 Prillit – Shëndetësia që duam” Çomo theksoi se, “gjithkush thotë që është një vit pandemi, ju siguroj në mënyrë absolute që janë shumë vite pune që bëhet brenda atyre spitale COVID, punë e paimagjinueshme atë punë e dimë vetëm ne që jemi brenda, ata pacientë që vuajnë aty brenda në spital dhe është një armatë e jashtëzakonshme infermierësh, doktorësh, sanitarësh, imazheristë, farmacistësh, reanimatorësh, shumë specialistë të tjerë që japin mundin e tyre, sakrificën e tyre që ofrojnë profesionalizëm, dashuri, përkushtim, dhimbje, vuajtje të paimagjinueshme”.

“Përse e them të paimagjinueshme? Sepse është hera e parë në këtë mijëvjeçar që ndeshemi me pandeminë dhe hera e parë që ndjekim pacientë brenda spitalit pa hyrë askush brenda përveç nesh. Natyrisht atyre njerëzve që janë brenda u mungon familja. Kjo është diçka e rëndë për ta. Por dua t’i siguroj ata njerëz që na ndjekin, ne për ata nuk kemi qenë vetëm doktorë, infermierë, shërbyes të shëndetit të tyre, ne për ta kemi qenë pjesë e madhe e familjes së tyre. Dashuria, puna, përkushtimi që ofrojnë ata njerëz që janë brenda, të gjithë profesionistë është e jashtëzakonshme dhe një shërbesë si një familjar i tyre që u shërben atyre brenda mureve të spitalit”.

“Ne jetojmë me ta, punojmë me ta, vuajmë me ta jo në aspektin e sëmundjes, por në aspektin emocional. Tek ne do të gjeni shumë lot që askush nga jashtë as si ka parë dhe as s’ka për ti parë ndonjëherë. Lotët janë për dhimbjen e atyre njerëzve, lotët janë për jetët e humbura sikurse është gëzimi për jetët e shpëtuara është edhe pjesa e dhimbjes për jetët e humbura brenda spitaleve COVID”, – tha Çomo.

Më tej Çomo u shpreh se, “koha më vonë do e tregojë se sa vite pune kemi investuar të gjithë së bashku brenda atyre mureve të spitaleve, brenda atyre dhomave. Aty nuk punohet me orar ka filluar puna në 8 mars e do mbarojë kur të mbarojë edhe rasti i fundit”.

“Shpesh pyes veten se mirë unë që e kam për detyrë që drejtojë atë institucion, po ata djem dhe vajza që kanë ardhur. Sot që flasim jemi shtuar si staf dhe vazhdojmë të shtohemi me staf infermieror. Vijnë me dëshirë dhe ju siguroj që është e vështirë që të punosh me të sëmurët, por në punën tënde ke kënaqësi profesionale, merr buzëqeshje, mesazhe pa fund për familjarët. Ju siguroj se në 99 % të punës tonë ne gëzojmë mirënjohjen e popullit që i kemi shërbyer me devotshmëri maksimale. Ka edhe njerëz që bëjnë komente negative, ka dhe staf mjekësor që nuk është në nivelin e duhur për t’iu shërbyer njerëzve. Por, koha e tregoi që ata dolën mbi ujë dhe drejtësia padiskutim ka për të vepruar mbi ta ata janë shumë pak në krahasim me atë armatë të madhe që u shërben njerëzve brenda spitaleve COVID”, u shpreh Çomo.

“Ne që punojmë pranë këtyre pacientëve kemi përgjegjësi, emocione dhe frikë herë pas here sidomos në kohët e para të fillimit të pandemisë. Frika është larguar me arsyen e  thjeshtë se ne kemi pasur veshjet e mbrojtjes sonë personale nga dita e parë dhe sot dhe askush në spitalet COVID nuk ka punuar pa këto veshje. Sigurisht veshja është një mburojë e madhe për të punuar pak më i sigurtë në mbarëvajtjen e shëndetit të atyre personave. Së dyti është mjekimi i atyre personave. Mjekimi konvertohet në barna që janë bashkëkohore, mjekimi konvertohet në aparatura që janë prurje dinamike në spitale COVID. Pra spitalin COVID e gjeti të organizuar kur filloi pandemia dhe nga java në javë nga muaji në muaj u vazhdua dhe vazhdojnë të vijnë aparatura që u shërbejnë këtyre njerëzve me standarde bashkëkohore”, – përfundoi Çomo.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.