Plani i Veprimit 2021-2025/ Zerim i taksës deri tek pagat 400 mijë lekë, përfshihen 67% e punëmarrësve

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bujtinave në Lezhë.

Rama u shpreh se mazhoranca po mendon që tek Plani i Veprimit 2021-2025 do të prezantojë masën për ta zeruar taksën, jo deri tek 300 mijë lekëshi, por deri tek 400 mijë lekëshi.

“Pra cilido që fiton deri 400 mijë lekë s’paguan taksë mbi të ardhurat, që faktikisht fut brenda 67 % të të gjithë punëmarrësve në Shqipëri, pa taksë mbi rrogën”, tha Rama.

“Për ne nuk është një fushatë elektorale tipike. Natyrisht është një fushatë elektorale që ne do ta respektojmë deri në fund. Është një ndeshje që ne do ta bëjmë deri në fund, por ne jemi në qeveri dhe ne do jemi në qeveri, pavarësisht se çfarë thonë. Dhe ne çdo gjë që themi sot, nuk është më si në 2013-ën. Sot është që ne kemi dhe gurin dhe arrën. Pra dhe gurin për ta hedhur dhe për të thënë “Po”. Edhe arrën për ta vënë përpara dhe jo për të lënë vetëm gurin”, tha Rama.

Prandaj, shtoi Rama, “ne s’kemi një program elektoral, kemi një plan veprimi që do ta bëjmë publik, që çfarë do bëjmë 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7. Dhe ndër to të gjitha do t’i bëjmë, sepse janë të planifikuara, jo se mendojmë ne se do t’i bëjmë”.

“Njerëzit shpeshherë mendojnë që në fushatë politikanët mashtrojnë, gënjejnë, manipulojnë. Po nuk është e vërtetë. Ka të tillë patjetër, ka shumë të tillë. Po ka dhe shumë që ato që thonë, janë të bindur që do t’i bëjnë. Kanë bërë një kalkulim, janë të bindur që do t’i bëjnë dhe i thonë. Dhe jo të gjitha ato që bëhen, bëhen në atë kohë që premtohen, sepse pastaj jeta është ajo që ndodh ndërkohë që ne kemi bërë plane të tjera, thotë një fjalë e urtë. Të vjen tërmeti, të ndryshon situatën. Të del një përmbytje, të ndryshon situatën. Të vjen pandemia, ndryshon situatën dhe t’i detyrohesh t’i modifikosh planet e tua. Por nuk është se ti ke gënjyer, ke mashtruar, hajt të hedh lumin dhe pastaj t’i them kalit ku të kam parë”, tha Rama.

“Kështu që prandaj nuk thonë kot që fushata është poezi, qeverisja është prozë. Por ne nuk jemi në kushtet që të bëjmë poezi sot, ne jemi në qeverisje dhe duhet të ndajmë me njerëzit prozën tonë”, tha Rama.

“Për një masë për shembull, që ne kemi vendosur ta marrim jemi akoma duke debatuar dhe akoma nuk po e vendosim si ta shkruajmë, megjithëse për pak ditë duhet ta prezantojmë planin se nuk e dimë duhet ta shkruajmë do ta bëjmë në 2022, apo do ta bëjmë në 2023. Tani kjo që po të nisemi nga ideja që hajde se jemi në fushatë dhe hajde se po lëshohemi, thua do ta bëjmë në 2022, pastaj shihemi. Ne nuk mund të themi që pastaj shihemi, se ky është plan”, tha Rama.

“Masën për ta zeruar taksën jo deri tek 300 mijë lekëshi, por deri tek 400 mijë lekëshi. Pra cilido që fiton deri 400 mijë lekë s’paguan taksë mbi të ardhurat që faktikisht fut brenda 67 % të të gjithë punëmarrësve në Shqipëri, pa taksë mbi rrogën. Nuk janë pak, janë shumë”, u shpreh Rama.

“Dhe natyrisht që është e bukur, por në momentin që e lëshon dhe e bën duhet të garantosh që nuk po e heq nga diku tjetër, për të dëmtuar diçka tjetër. Pra duhet të garantosh që t’i do të rrisësh mundësitë dhe mbi bazën e rritjes së mundësive ti po e bën. Jo hiqja këtij, çoje andej, se nuk funksionon”, theksoi Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.