PD: Ne do të sigurojmë paga 700 euro për infermierët dhe 1200 euro për mjekët

TIRANË, 4 mars /ATSH/ “Shëndetësia është një nga dështimet më të mëdha të Edi Ramës”, deklaroi sot përfaqësuesi i PD, Gazment Koduzi.

“Propaganda e Edi Ramës me shëndetësinë, nuk e fsheh dot dështimin e tij. Pas 8 vitesh më qeverisjen e vendit, Edi Rama ka dështuar në çdo drejtim, por veçanërisht në shëndetësi”, u shpreh Koduzi.

“Në vend që të ulë kokën dhe t’u kërkojë falje shqiptarëve: Për degradimin e sistemit; Për dorëzimin e shëndetësisë në duart e koncesioneve hajdute; Për mungesën e sigurisë së ilaçeve; Për mungesën e pajisjeve dhe të barnave më spitale; Për mashtrimin me shëndetësinë falas, sot Edi Rama po u bën të tjera premtime boshe shqiptarëve”, tha Koduzi.

“Para 8 vitesh u premtoi të gjithëve shëndetësi falas, por Edi Rama gënjeu. Shëndetësia është shtrenjtuar në çdo drejtim. Shqiptarët paguajnë edhe më shumë, sepse sistemi publik shëndetësor nuk ofron shërbimin që u nevojitet njerëzve”, tha Koduzi.

“Këta që nuk bënë asgjë për 8 vjet, nuk kanë për të bërë asgjë as për 4 vjet të tjera”, shtoi ai.

“Ne kemi një plan serioz pune që do ta ndryshojë për mirë shëndetësinë. Në qendër të sistemit do të jetë pacienti. Me parimin “paratë ndjekin pacientin”, ju do ta zgjidhni vetë mjekun tuaj të familjes, klinikën, spitalin. Kështu do të merrni shërbimin që meritoni më momentin që keni nevojë për të. Qendrat shëndetësore dhe spitalet publike do të riorganizohen sipas konceptit të spitaleve “sipërmarrëse””, theksoi Koduzi.

“Ne do të sigurojmë paga 700 euro për infermierët dhe 1200 euro për mjekët. Ky është ndryshimi që duhet të bëjë Shqipëria”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.