Najada Çomo kandidate për deputete e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit/ Rama: Komandantja e vijës së zjarrit. Nuk duam të bëhesh si ne, ne duam të bëhemi si ty

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mjekja Najada Çomo, shefja e Spitalit Infektiv do të kandidojë për deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.

Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar “Rruga drejt 25 Prillit – Shëndetësia që duam” Kryeministri Rama tha se, “në mënyrë spontane nxora një sekret të vogël që nuk ishte i presupozuar të dilte sot, pasi ne me shumë kënaqësi morëm aprovimin tënd. Të jap fjalën që ne nuk duam që ti bëhesh si ne, ne duam të bëhemi si ty e për këtë na ndihmon prania jote”.

Kryeministri Rama tha se, “jam shumë mirënjohës edhe për faktin që ti je këtu, por edhe mbase është momenti për ta thënë këtë që të gjithë ta dëgjojnë që jam shumë mirënjohës edhe për një fakt tjetër. Duke pasur parasysh që në këtë udhëkryq që është kjo ndeshje, kjo përballje, kjo garë e 25 prillit Shqipëria duhet të flasë, të ndiejë, të jehojë zërin në radhë të parë të atyre që janë qoftë në vijën e parë të kësaj lufte, por qoftë edhe në anën tjetër të kësaj vije, njerëzit e zakonshëm është me siguri një arsye për të reflektuar lidhur me vetë skuadrën tonë”.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “është një arsye për të bërë një hap për të shtrirë dorën e lutjes duke kërkuar që dikush, dhe kush më mirë sesa komandantja e vijës së zjarrit e njohur nga të gjithë, të vijë me ne jo për t’u bërë deputetja e radhës në një grup deputetësh apo deputetesh dhe as për të lënë vijën e zjarrit dhe për t’u ulur në një nga karriget, që sidoqoftë janë shumë të rehatshme edhe pse jo aq të rehatshme sa njerëzit mendojnë, sesa qëndrimi në këmbë 24 orë në 7 ditë të javës në vijën e zjarrit”.

“Por për të qenë aty sa herë që duhet, që zëri i brendshëm i atyre hapësirave ku lufta është një luftë sy më sy dhe kacafytëse me armikun të mos i mungojë parlamentit, të mos i mungojë njerëzve, shumicës dhe qeverisë që do të duhet të dëgjojë edhe më shumë, të kuptojë e të veprojë më shumë në sinkron me njerëzit dhe në këtë rast në sinkron me të gjithë ju”, – tha Rama./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.