Librazhd/ Doracaj apel qytetarëve: Aplikoni për rinovimin e kartave të identitetit, zyrat të hapura edhe të shtunën

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, së bashku me kryetarin e bashkisë, Kastriot Gurra inspektuan zyrën e aplikimit për dokumente identiteti.

Ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Librazhdit dhe jo vetëm të aplikojnë që të pajisen me dokumentin e ri pa humbur kohë.

Drejtori Doracaj tha se, “ripërsëritim thirrjen që kemi disa muaj që e bëjmë për të gjithë qytetarët e bashkisë Librazhd dhe jo vetëm, por për të gjithë vendin, që posedojnë një dokument, letërnjoftim elektronik të pavlefshëm. Ju lutem të vijnë pranë zyrave të Gjendjes Civile dhe zyrave të aplikimit për të aplikuar”.

“Duhen vetëm pak minuta për të aplikuar dhe më pas pak ditë për t’u pajisur me dokumentin e ri. Shprehim të gjithë vullnetin, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri ditën e fundit, që çdo qytetarë të sensibilizohet dhe të vijë pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik”, – nënvizoi Doracaj.

Më tej Dorcaj u shpreh se, “vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet, ka filluar numërimi mbrapsht, është një nga dy dokumentet me anë të cilit shtetasi mund të shprehë vullnetin e tij ditën e zgjedhjeve dhe është detyra qytetare e çdokujt për ta bërë sa më lartë”.

“Edhe njëherë jemi hapur edhe ditën e shtunë, bashkia ka ofruar të gjitha kushtet dhe kapacitetet”, shtoi ai.

Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra u shpreh se, “rezulton që një pjesë e konsiderueshme e banorëve të bashkisë Librazhd nuk i disponojnë kartat e identitetit, ose një pjesë prej tyre ju ka kaluar afati i përdorimit”.

“I bëjmë ftesë të gjithë banorëve të bashkisë Librazhd të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile për të tërhequr kartat e identitetit, për t’i aplikuar ato dhe për t’i marrë në një kohë sa më të shpejtë. E vërteta është që ne do të jemi në punë edhe gjatë ditëve të shtuna. Së bashku me kompaninë “Aleat” kemi akorduar kohën e duhur me qëllim që t’i ofrohet çdo banori të bashkisë Librazhd shërbimi i kërkuar”, – tha Gurra.

Kryebashkiaku Gurra theksoi se, “e rëndësishme është që për asnjë arsye banorët të mos pengohen në të drejtën e tyre për të ushtruar të drejtën e votës. Shpresoj shumë që ky apel do shkojë te çdo banor i bashkisë Librazhd. Ne jemi këtu gati çdo ditë, për t’i mirëpritur me qëllim që të aplikojnë dhe të marrin kartat e identitetit në kohë sa më të shpejtë”./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.