Investime si asnjëherë për ujësjellës e kanalizime/ Ndreu: Lezha, atraksion kompleks me fokus agroturizmin

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndeu, infomoi sot për një sërë projektesh të rëndësishme që po zbatohen dhe nisin në infrastrukturë, bujqësi dhe agroturizëm, me impakt në nxitjen e punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë lokale dhe asaj familjare.

I pranishëm në takimin që zhvilloi Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të bujtinave në Lezhë, Ndreu falenderoi kryeministrin për të gjithë mbështetjen dhe sensibilitetin e treguar për agroturizmin në Shqipëri dhe veçanërisht në Lezhë.

“Këtu jemi në një zonë të jashtëzakonshme që ka një bum të modeleve më të mira të agroturizmit të afirmuara tashmë jo vetëm nga vendasit, por edhe nga të huajt. Altini, Fatmiri, Diella, Alma janë shembuj konkretë që japin një kontribut të madh në të gjithë jetën shoqërore të rrethit të Lezhës”, theksoi Ndreu. Këto sipërmarrje, vijoi ai, kanë qenë gjithashtu kontributorë edhe për familjet që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duke u ndalur në pozitat gjeografike mjaft të favorshme për zhvillimin e agroturizmit, ai theksoi se, “rol kryesor ka luajtur mbështetja e konfirmuar tashmë e qeverisë ndaj biznesit të këtij sektori dhe zhvillimit urban dhe rural”.

Sipas tij, “vetëm në fushën e Zadrimës deri tani kemi sistemuar 27 km kanale kulluese, që është një punë që vazhdon me intensitet. Ndërsa po vijojmë me infrstrukturën rrugore në zbatimin e projekteve të reja rehabilituese dhe njëherazi në sistemin energjetik po bëhen investime konkrete. Për sa i takon sektorit të ujit, sot që flasim ka 20 milionë euro investime në sistemin e ujit të pijshëm, përmes projekteve që po zbatohen në këtë sektor, apo që kanë filluar nga puna, falë mbështetjes së  qeverisë dhe projekteve të bashkisë”.

“Në një nga zonat që kap 5 fshatra fillojmë këto ditë projektin e ujësjellësit të ri. Ndërsa në zonën Tale 1, Tale 2 dhe Grykëlumi, që është një zonë turistike, zbatojmë një tjetër investim në këtë sektor duke i dhënë prioritet agroturizmit”, – tha ai.

Kryebashkiaku bëri të ditur se, shumë shpejt fillon ndërtimi i ujësjellësit të Raboshit, që është një problem i kahershëm. Ndërsa marrëveshja e qeverisë shqiptare me KfW, bën të mundur investimin më të madh si asnjëherë më parë në Lezhë, në rehabilitimin e plotë të të gjithë sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha të qarkut të Lezhës, që Lezha nuk përmbytet kurrë më, ujësjellësin e lagjes “Nënë Tereza”, të Shëngjinit dhe të Kakarriqit”.

“Asnjëherë brenda një viti nuk ka pasur një fluks përqendrimi kaq të fortë në investimet në sektorin e ujit në Lezhë, ku janë përfitues biznesi dhe të gjithë banorët”, – tha Ndreu.

Ai bëri me dije se nën kujdesin e Kryeministrit Ei Rama këto ditë firmoset investimi prej 9 milionë euro të një fabrike të enëve të kuzhinës, ndërsa jemi në negociata me një konsorcium të fuqishëm italian dhe kemi marrë tokën ku mendohet që të ketë një zonë shumë të zhvilluar industriale që do të hapë fronte të reja pune për shumë persona.

“Gjithashtu në komitetin e investimeve strategjike ka kaluar tashmë dhe priten detaje të një projekti të ri për energjinë e rinovueshme, ose siç njihen ndryshe mullinjtë e erës, me vlerë 240 milionë euro. Pra këto janë projekte me impakt jo vetëm në bujqësi, agroturizëm dhe në ujësjellës, por që do të rrisin punësimin në një shkallë të gjerë, aq sa do të kërkohet krah pune dhe do të përfitojnë edhe të tjera qytete deri në Shkodër”, – tha ai.

“Këto janë disa lëvizje pikante që po e kthejnë Lezhën në një atraksion kompleks, ku agroturizmi do të ketë referencën kryesore në këtë zhvillim”, – deklaroi Ndreu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.