“Financim 100% për trajtimin në banesë me 2 skema mjekimi”/ Mbi 500 respiratorë dhe 1600 shtretër

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, janë forcuar kapacitetet spitalore dhe ato të terapisë intensive për të përballuar situatën e shkaktuar prej COVID-19.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama u shpreh se “kemi forcuar kapacitetet spitalore dhe ato të terapisë intensive dhe praktikisht sot kemi 4 spitale COVID të dedikuar, me kapacitet 550 shtretër. Dhe duke aktivizuar dhe pajisur 1600 shtretër së bashku me spitalet rajonale, ne ia kemi dalë që të mos ndeshemi në asnjë moment me kërcënimin real të kolapsit të sistemit siç u ndeshën sisteme shëndetësore shumë të zhvilluara se i yni, dhe siç u përballën spitale në vende shumë më të pasura se ky i yni”.

“Kemi pajisur me aparatura të reja spitalet COVID dhe njësitë e terapive intensive në spitalet rajonale, duke e rritur në mënyrë eksponenciale, për vetë natyrën e çështjes, kapacitetin e aparaturave jetëshpëtuese respiratore”, tha Rama.

Sa i përket respiratorëve, Rama u shpreh se, “sot ne disponojmë jo më shumë, jo më pak, por mbi 500 respiratorë. Dhe për shkak se kemi ditur të administrojmë më së miri, duke dëgjuar me shumë vëmendje Komitetin Teknik dhe duke ndjekur me shumë përkushtim mjekët dhe infermierët në rrugëtimin e tyre, nuk kemi pasur nevojë të përdorim shumicën e këtyre aparaturave”.

“Kemi siguruar terapitë e mjekimit me medikamente sipas protokolleve të shërbimeve, njësoj si në çdo vend tjetër. Kemi financuar 100 % trajtimin ambulator në banesë me 2 skema mjekimi, për sëmurë në gjendje të lehtë dhe për ata në gjendje pak më të vështirë. Dhe mbulojmë paketën e këtij trajtimi duke vazhduar njëkohësisht rritjen e kapacitetit të testimit”, u shpreh Rama.

“Kemi 10 herë më shumë kapacitete testimi nga fillimi i luftës dhe kemi sot 4 laboratorë për testimet nga 1 që kishim në fillim të luftës. Kemi njëkohësisht testimin e shpejtë që kryhet në 55 pika të dedikuara në çdo komunitet pranë qendrave shëndetësore”, u shpreh Rama.

“Janë më shumë se 110 mijë testime të shpejta të kryera në pikat e testimit në komunitet, duke reduktuar kohën e testit dhe duke reduktuar dhe kohën e marrjes së përgjigjes”, theksoi Rama.

“Grupet e terrenit, epidemiologët janë rritur dhe faktikisht është garantuar që 90 % e të dyshuarve të arrihen, testohen dhe vendosen në izolim brenda 48 orëve”, tha Rama.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.