Fatalitetet nga COVID-19 te moshat e reja/ Mjekja Bala: Një arsye neglizhenca e simptomave dhe ardhja me vonesë në spital

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Shefja e Shërbimit Universitar të Pneunomologjisë, Silvana Bala deklaroi sot se virusi Sars-Cov-2 nuk ka kursyer prekjen e moshave të reja.

Gjatë një interviste në medie, Bala tha se një nga arsyet se pse pacientët humbasin jetën është ardhja me vonesë e tyre, mosbesimi që sidomos moshat e reja kanë nga ecuria e klinikës së kësaj sëmundjeje.

“Për mjekun si të jenë pak sëmurë dhe si të jenë shumë sëmurë, situata është shqetësuese për këtë sëmundje e cila në karakteristikat e saj ka gravitetin dhe rrezikshmërinë që i sjell jetës së pacientit. Ne kemi 220 shtretër pacientësh. Aktualisht sot ishin shtretër të zënë rreth 170. Por të mos harrojmë se për COVID 19 shërbejnë edhe katër spitale të tjera COVID. Dukemi pak më të qetë për urgjencat e rretheve dhe fluksin më të madh e ka COVID 1, 3 dhe 4. Ju e keni parë që COVID-19 nuk ka lënë pa prekur edhe moshat e reja. Rrezikshmëria është për pacientë që kanë pasur sëmundje shoqëruese dhe pak nga këto që kanë humbur jetën kanë qenë mosha të reja. Një nga arsyet se pse pacientët humbasin jetën është ardhja me vonesë e tyre, mosbesimi që sidomos moshat e reja kanë nga ecuria e klinikës së kësaj sëmundjeje”, tha Bala.

Mjekja nënvizoi se moshat e treta janë më të prekura, sidomos ata që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike.

“Ato që janë më të prekur janë moshat e treta të cilët janë të sëmurë me sëmundje të tjera shoqëruese, me diabet, me hipertension, të sëmurë me kimioterapi, dhe që kanë një trajtim kronik. Aty kjo sëmundje është më e rëndë, ka një klinikë më të ashpër, dhe normalisht edhe fitimi i jetës është shumë herë më i vështirë. Këta të sëmurë kanë ardhur me një përfshirje shumë të madhe të pneunomisë, ka rezultuar mbi 85% të përfshirë nga pneumonia e gjithë fusha pulmonare. Nëse ne do të mendonim se 90% të organit respirator e kemi të përjashtuar nga aktiviteti funksional, vetëm një mjek e kupton se çdo të thotë, sa e rëndësishme është kufizimi i këtij funksioni. Në këto momente fillon me pamjaftueshmërinë në frymëmarrje, e nxjerr jashtë funksioni punën e këtij organi. Pacienti duhet të tregohet shumë i vëmendshëm, rritja për herë të dytë e temperaturës tregon se duhet patjetër që të ekzaminojmë organin e mushkërisë. Neglizhenca, zgjatja, qëndrimi në shtëpi, frika, për të shkuar tek mjeku bën që kjo pneumoni të përkeqësohet akoma më tepër”, vuri në dukje ajo.

Bala shpejgoi edhe rrugën që duhet të ndjekë çdo pacient që dyshon se është prekur nga virusi.

“Pacienti me simptoma duhet të perdorë vitamina, të pijë shumë ujë dhe të përdorë ushqime proteinike deri në ditën e 5 të shfaqjes së simptomave. Në momentin që pas ditës së 5 dhe 6 temperatura edhe pse pacienti po merr antipiretikë është e lartë, ai duhet t’i drejtohet mjekut, fillimisht atij të familjes pastaj atij specialsit. Ky pacient duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve biokimike dhe një ekzaminim imazherik. Sa më shpejt të konstatohet e ekzaminohet, për të rezultuar prekja pulmonare aq më i sukseshëm do të jetë trajtimi dhe aq më e lehtë do të jetë shpëtimi i jetës” deklaroi ajo.

Një mënyrë tjetër e shfaqjes së simptomave, shpjegoi ajo, është temperaturë kollë dhe gricje fyti përgjatë 2-3 ditëve, më pas qetësim dhe rikthim i temperaturës pas 2 ditësh.

“Pacienti duhet të drejtohet menjëherë të mjeku. Rritja për herë të dytë e temperaturës tregon që duhet patjetër të ekzaminohet mushkëria, sepse dhe në këtë moment mund të ketë filluar prekja e mushkërisë. Neglizhenca, zgjatja, qëndrimi në shtëpi, frika bën që kjo pneumoni të ndërlikohet akoma më tepër”, tha Bala. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.