COVID-19 – Greqia njofton sërish masa më të rrepta kufizimi

ATHINË, 4 mars /ATSH-ANA/ – Për shkak të një rritjeje rekord të infeksioneve të reja të koronavirusit dhe pranimeve në spital Covid-19, zëvendësministri grek për Mbrojtjen Civile dhe Menaxhimin e Krizave, Nikos Hardalias, njoftoi rregullat më të rrepta mbi lëvizjen e qytetarëve.

Deri më 16 mars, qytetarët nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë më shumë se dy kilometra nga shtëpia e tyre në supermarkete, dyqane ushqimore ose banka duke kufizuar qarkullimin brenda komunave.

”Po kështu, ushtrimet personale ose ecja me kafshët shtëpiake duhet të bëhen afër shtëpisë, dhe nuk do të jetë e mundur të kryhen këto aktivitete përtej kufijve të komunës së vet”, shtoi ministri.

”Sa për qytetarët që pretendojnë të bëjnë një vizitë në shtëpi te një personi në nevojë për të ofruar ndihmë, ata do të duhet të jenë në gjendje të japin sqarime në rast të një kontrolli në rrugë nga autoritetet”, theksoi ai.

Shtetrrethimi në këto zona deri më 18 mars do të fillojë në orën 19:00 deri në 05:00, me përjashtim të rajoneve të Atikës dhe Selanikut, ku ora e ndalimit do të qëndrojë në vend 21:00-05:00

Hardalias gjithashtu kujtoi publikun se nuk u lejohej të endeshin nëpër parqe, bregdet apo zona të hapura sportive.

Në Larisa, rregullat e reja në lidhje me lëvizjen e qytetarëve do të hyjnë në fuqi të shtunën, për të lejuar qytetarët atje të menaxhojnë pasojat e tërmetit të djeshëm./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.