Algoritmi identifikon me emër se kush ka përparësi mbi vaksinën

MILANO, 4 mars /ATSH-ANSA/ – Një algoritëm i zhvilluar nga statistët e Universitetit të Milano Bicocca identifikon me emër dhe mbiemër personat e moshës 18 deri 79 vjeç që kanë përparësi ndaj vaksinës, bazuar në profilin e tyre klinik.

Indeksi i brishtësisë u përllogarit duke referuar informacionin nga baza e të dhënave nga rajonet me analizimin e tamponëve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve për Covid në valën e parë dhe të dytë.

Zbatimi i këtij sistemi lejon të shmangen qindra intubime dhe vdekje.

Algoritmi, i miratuar nga rajoni i Lombardisë, do t’i komunikohet Ministrisë italiane të Shëndetësisë.

Të dhëna nga pesë rajone, Lombardia, Valle d’Aosta, Marche, Puglia dhe Siçilia u përdorën për studimin, për një total prej rreth 16 milionë banorë, pra një e katërta e popullsisë italiane.

Algoritmi, i propozuar dhe zhvilluar nga Gianni Corrao, profesor i statistikave mjekësore nga Milano Bicocca, identifikoi 23 kushtet patologjike të cilat, përveç moshës dhe gjinisë, ishin treguese të rrezikut klinik. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.