3656 mjekë dhe infermierë përfituan bonusin 1000 euro mbi pagën mujore, 1212 staf mbështetës 500 euro

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 3656 mjekë, infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar qysh prej ditës së parë të luftës bonusin dhe do ta përfitojnë atë deri në përfundimin e luftës

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama u shpreh se, “edhe pse nuk kemi bërë sa kemi dashur, besoj se duke bërë gjithçka kemi mundur, ia kemi dalë që t’ju bëjmë të mos ndiheni vetëm. Ia kemi dalë t’i bëjmë të ndiheni se ne jemi aty, ne jemi pranë jush ne jemi në mbështetjen tuaj”.

“3656 mjekë, infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar qysh prej ditës së parë të luftës bonusin 1000 euro mbi pagën mujore dhe do ta përfitojnë atë deri në përfundimin e luftës”, tha Rama.

“1212 staf mbështetës kanë përfituar bonusin 500 euro mbi pagën mujore, sipas punës së kryer me pacientët me COVID-19 dhe ky bonus do të vazhdojë sipas punës së kryer për të gjithë ata të cilët që duhet ta përfitojnë deri në fund të luftës”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se, “prej fillimit të pandemisë kemi punësuar 464 personel shëndetësor plus për të siguruar rritjen e kapaciteteve dhe për të garantuar që burimet njerëzore, forca shpirtërore dhe profesionale në vijën e parë të përballjes me armikun e padukshëm të mos shtërrë në asnjë çast, për asnjë arsye”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.