Vaksinimi antikovid nis edhe në Gjirokastër me të moshuarit mbi 80 vjeç

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Mëngjesin e së mërkurës ka nisur procesi i vaksinimit antikovid për të moshuarit mbi 80 vjeç edhe në Gjirokastër. Pas nisjes së këtij proçesi në disa qytete të vendit, tashmë fushata kombëtare e vaksinimit antikovid u shtri edhe në Gjirokastër.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila njoftoi hapjen e qendrës së re të vaksinimit.

“Gjirokastër – Nis vaksinimi i gjysheve dhe gjyshërve në qendrën më të re të vaksinimit që hapëm sot në qarkun jugor. Shqipëria Buzëqesh”, nënvizoi Manastirliu.

Sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nga fillimi i vaksinimit janë kryer 15 027 vaksinime. Fillimisht, po vaksinohen mjekët e infermierët, procesi për të cilët pritet të përfundojë brenda mesit të muajit mars.

Paralelisht me grupin e infermierëve dhe mjekëve, ka nisur vaksinimi dhe i moshës mbi 80 vjeç. Pas mesit të marsit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me mbërritjen e vaksinave “AstraZeneca” pritet të nisë dhe vaksinimi për mësuesit. /j.p/r.e/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.