“Teuta” gjunjëzon “Vllazninë”dhe merr vendin e dytë/ “Laçi” fitore ndaj “Kukësit”

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Java e 22-të e Superligës shqiptare të futbollit është mbyllur me fitoren e “Teutës” në supersfidën me “Vllazninë”, si dhe me humbjen e “Kukësit” përballë “Laçit”.

Një gol i Dejvi Bregut në pjesën e parë i ka dhënë tri pikët “Teutës” që ka mundur “Vllazninë” kryesuese dhe i është afruar tashmë kuqebluve me vetëm një pikë distancë, duke i rrëmbyer dhe vendin e dytë “Partizanit”. Supersfida e javës e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” ka dhuruar mjaft emocione, ndërkohë që mysafirët nga Shkodra nuk kanë arritur të marrin pikë, duke rihapur garën për të vënë tashmë në diskutim vendin e parë në klasfikim.

“Teuta” me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 40 pikëve, një më pak se “Vllaznia” kryesuese dhe po aq sa “Laçi”, pas fitores me “Kukësin” me rezultatin 2-1, ndeshje e zhvilluar paralelisht me sfidën e Durrësit.

Edhe pse djmetë verilindor nuk u dorëzuan për asnjë moment, sërish bardhezinjtë kurbinas morën tri pikëshin falë golave të Emiljano Musta në minutën e 4-rt të pjesës së parë dhe Regi Lushkja në minutën e 74-t nga pika e bardhë e penalltisë. Golin e barazimit të përkohshëm e shënoi Patrick Friday Eze në minutën e ’58, një gol që tashmë ka vetëm vlera statistikore. Me këtë fitore laçianët ngjiten në kuotën e 40 pikëve po aq sa edhe “Teuta”.

Klasifikimi:
Vllaznia 41 pikë
Teuta 40 pikë
Laçi 40 pikë
Partizani 39 pikë
Tirana 32 pikë
Kukësi 30 pikë
Kastrioti 28 pikë
Bylisi 18 pikë
Apolonia 15 pikë
Skënderbeu 13 pikë

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.