Teliti: Do ulim borxhin publik 3-5 % në vit për ta afruar në nivelin optimal 60 %

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Këshilltari për ekonominë i kryetarit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti ka theksuar se plani ekonomik i Partisë Demokratike është ta ulë borxhin publik në nivelin 60 %, duke u përpjekur për ta ulur çdo vit 3-5 %.

Dorian Teliti, gjatë një interviste televizive shpjegoi se do jenë kursimet çelësi që do sjellë dhe mbajtjen e premtimeve nga Partia Demokratike pas zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat janë llogaritur me një kosto 400 milionë euro.

“400 milionë euro nevojiten për të përmbushur premtimet. 50-60 milionë euro në vit shpenzohen për zyra. 300 milionë euro kursen nga tenderët thjesht me futjen e garës. Do të anulojmë kontratat koncesionare që marrin të paktën 120 milionë euro çdo vit. Nuk do të shkojnë në duart e disa oligarkëve por tek qytetarët. Futja e garave në tendera, eliminimi i shpenzimeve të luksit në zyra dhe anulimi i kontratave për koncesionet sjellin shumën e nevojshme. Paratë janë por duhen menaxhuar mirë”, u shpreh Teliti.

Lidhur me shqetësimet për rritjen e borxhit publik, Teliti tha se, “aktualisht ky borxh është në nivelin 83 % ndërsa PD synon që ta ulë nga 3 deri në 5 % në vit për ta afruar në nivelin optimal 60 %”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.