Reforma në Drejtësi/ Gjonaj: 340 gjyqtarë dhe prokurorë janë vettuar deri tani, 58 % e tyre janë shkarkuar apo larguar

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se 340 gjyqtarë dhe prokurorë janë vettuar deri tani dhe 58 % e tyre janë shkarkuar apo larguar nga organet e Vetingut.

Duke folur në takimin “Rruga drejt 25 Prillit – DREJTËSIA QË DUAM”, Gjonaj u shpreh se, “Reforma në drejtësi, një ide e kthyer në vizion nga Partia Socialiste, është sot, një realitet i prekshëm për të gjithë. Dëgjuam zërin e qytetarëve kur ndërmorëm këtë reformë transformuese, për të pastruar pallatin e drejtësisë nga korrupsioni, për t’i dhënë qytetarëve një drejtësi të barabartë dhe të drejtë, një reformë që vetëm Partia socialiste mund ta ideonte, ta hartonte dhe ta zbatonte”.

“Partia Socialiste mori një hap historik, si kurrë më parë në 30 vjet pluralizëm, ku kemi patur si kryefjalë në këto 8 vjet qeverisjeje, reformën në drejtësi, atë reformë e cila për herë të parë solli dritë në fund të tunelit, për t’i kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar”, tha Gjonaj.

Përmes kësaj reforme, shtoi Gjonaj, “kemi hedhur themelet e forta për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë gjyqësorin nga kthetrat e korrupsionit dhe krijimin e një sistemi drejtësie të denjë për çdo qytetar shqiptar”.

“Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, ka patur përpjekje të shumta për ta ndaluar, për ta vonuar, për ta kthyer, por pavarësisht këtyre përpjekjeve reforma në drejtësi është e pandalshme, e pakthyeshme dhe rezultatet e saj deri tani janë një dëshmi e pakontestueshme. Një dëshmi që e shohin të gjithë qytetarët, një dëshmi që e njohin partnerët ndërkombëtarë që kanë bashkëshoqëruar këtë reformë që në fillimet e saj, hap pas hapi, me shumë përulësi jemi falenderues për mbështetjen e tyre të pakursyer dhe konsistente në nivel politik dhe Teknik”, tha Gjonaj.

“Reforma në drejtësi dhe jetësimi i saj ka qenë gjatë këtyre 4 viteve një sfidë jetike për të ardhmen e drejtësisë, një luftë e përditshme, ku gjithmonë kanë qenë dy palë, si dy botë, ne në krah të kësaj reforme dhe që e kemi mbrojtur dhe mbështetur fort dhe pala tjetër që e ka penguar, e ka bllokuar, e ka goditur me ç’kanë mundur dhe si kanë mundur. Dhe janë këta pala tjetër, që janë bashkuar të gjithë në një kontratë politike dhe interesash për zgjedhjet e ardhshme, por më shumë se sa 25 prilli, i bën bashkë frika ndaj reformës në drejtësi”, theksoi Gjonaj.

Gjonaj u shpreh se, “këto 4 vjet të vështirë për ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë na kanë mësuar dhe na kanë treguar se sa i kalbur dhe i kapur ishte sistemi I drejtësisë dhe se lufta për të bërë drejtësinë ja ka vlejtur”.

“Sot themi me plot bindjen se sistemi i ri i drejtësisë bazohet në një kuadër kushtetues dhe ligjor të plotë të miratuara 4 vite më parë, që shmang çdo ndikim politik në funksionimin e gjyqësorit. Ky kuadër ligjor u fuqizua dhe më shumë përmes ndryshimeve të sjella nga paketa ANTIKÇK, për të goditur edhe me thellë fenomenet korruptive që kanë ngërthyer jo pak herë gjyqësorin. Të gjitha këto, vetëm për të mbajtur të fortë, e për ta shpëtuar drejtësinë e gangrenizuar nga gjyqtarë e pushtetarë të korruptuar, të cilët e përdorën sistemin në funksion të të fortit dhe jo të drejtësisë”, tha ajo.

Në fillim, u shpreh ministrja Gjonaj, “shumëkush mendonte se gjyqtarët dhe prokurorët ishin imun, por ja që pastrimi I pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur apo që vepronin në favor të krimit, po realizohet dita ditës. 340 gjyqtarë dhe prokurorë janë vettuar deri tani dhe 58 % e tyre janë shkarkuar apo larguar nga organet e Vetingut, institucione tërësisht funksionale, tërësisht të pavarura të cilët e kryejnë këtë proces së bashku Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”.

“Me krenari sot mund të themi se të gjitha institucionet e reja të sistemit të drejtësisë janë tërësisht të ngritura dhe funksionale dhe kanë dhënë prova me rezultate konkrete. Sot kemi të ngritura dhe në funksion këshillat, atë gjyqësor dhe atë të prokurorisë, si dy organe të pavarura të qeverisjes të sistemit të drejtësisë të cilat kanë kryer procese të rëndësishme në promovimin, emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe në ngritjen e institucioneve të reja. Sot kemi të emëruar Prokurorin e përgjithshëm, pas një procesi verifikimi dhe vlerësimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sot kemi të emëruar dhe në funksion Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që tashmë si një institucion i pavarur inspekton gjyqtarët dhe prokurorët me qëllim që të ndëshkohen rastet e shkeljes së ligjit. Sot kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me kuorumin e nevojshëm, ku pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme, u finalizua emërimi i tyre, nëpërmjet një procesi tërësisht të pavarur nga preferencat e politikës. Sot kemi 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të cilët vijojnë punën për të ulur me ritme të shpejta numrin e çështjeve të shumta që presin të gjykohen nga kjo gjykatë. Kësaj trupe pritet shumë shpejt ti shtohen anëtarët e rinj që do të emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, tha Gjonaj.

“Sot kemi tërësisht funksionale strukturën e SPAK, ku pritet ti bashkohet edhe struktura e plotësuar e BKH-së, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Pritshmëritë e qytetarëve dhe tonat janë shumë të larta për SPAK, si një ndër institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, ku pandëshkueshmëria duhet të jetë kryefjala e këtij institucioni. Por edhe sot një vit nga ngritja e SPAK, ka rezultatet konkrete në drejtim të hetimit të funksionarëve më të lartë në gjyqësor, si ish-Prokuror i Përgjithshëm, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, komisionerë zgjedhorë, të cilat dëshmojnë dita ditës që askush nuk është më imun nga drejtësia e re, dhe se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, tha Gjonaj.

Ajo nënvizoi se, “të gjithë anëtarët e këtyre institucioneve, gjyqtarët e gjykatave të larta si dhe prokurorët e SPAK kanë kaluar me sukses procesin e Vetingut, duke garantuar integritet dhe llogaridhënie për të gjithë anëtarët e institucioneve të gjyqësorit të reformuar”.

“E paprecedentë në këtë reformë, ka qenë mbështetja financiare që qeveria shqiptare ka dhënë, kjo mazhorancë i ka dhënë reformës në drejtësi, dhe ka qenë e pandalshme, duke kapërcyer të gjitha mundësitë tona, pavarësisht edhe vështirësive të shkaktuara nga dy fatkeqësitë natyrore që u godit Shqipëria gjatë 2019 dhe 2020. Kjo është një dëshmi e pastër e vullnetit dhe mbështetjes sonë për të avancuar me agjendën e reformës në çdo aspekt të saj”, theksoi Gjonaj.

“Buxheti i sistemit të drejtësisë, është rritur me 4.4 miliardë lekë që prej 2016. Sot sistemi i drejtësisë ka 869 punonjës më shumë në të gjithë sistemin, krahasuar me periudhën para reformës në drejtësi. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjithë sistemit janë rritur mesatarisht 101 % më shumë se në vitin 2016. Institucionet e Vetingut, prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK, kanë dyfishin e pagës më të lartë shtetërore, për t’i dhënë të gjitha garancitë për të luftuar pa kompromis korrupsionin”, u shpreh ajo.

“Reforma në drejtësi është ndërkombëtarisht e gjithëpranuar dhe vlerësuar. Vetëm para pak ditësh, ishte Gjykata Europiane e Strasburgut që certifikoi ligjshmërinë e procesit të Vetingut, duke e konsideruar atë si një mekanizëm të drejtë dhe në përputhje me të gjithë standardet më të mira europiane”, shtoi Gjonaj.

“4 vjet nuk janë shumë për historinë e një vendi në përpjekjet shtetformuese, për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, për vetë përmasat e kësaj reforme. Që synon të shembë një sistem të kalbur, dhe mbi të, të ndërtojë jo thjesht një pallat qoftë edhe me arkitekturë të bukur por mbi të gjitha të ndërtojë një pushtet të ri drejtësie, me një sërë institucionesh të reja që synojnë të garantojnë drejtësi të re, të barabartë, dhe për ti dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë, por edhe për të rifituar besimin e qytetarëve tek drejtësia”, tha Gjonaj.

“Përpjekjet tona për ta kthyer Shqipërinë në një partner të besueshëm dhe solid edhe në bashkëpunimin për luftën kundër krimit transnacional, vërtetohet në emërimin e prokurorit të parë shqiptar ndërlidhës në EUROJUST. Një vend qendror në të gjithë përpjekjet tona madhore ka lufta kundër korrupsionit në çdo qelizë të administratës. Për çrrënjosjen e korrupsionit kemi punuar intensivisht dhe do të vijojmë të punojmë pareshtur, duke qenë të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë. Megjithatë, jemi besimplotë se bazat e shëndosha që kemi vendosur na mundësojnë arritjen e rezultateve në vijim”, u shpreh ministrja Gjonaj.

“Në këto 4 vite, Qeveria Shqiptare ka jetësuar mekanizma të qëndrueshëm dhe të dedikuar në luftën kundër korrupsionit. Taskforca kundër Korrupsionit ka goditur intensivisht korrupsionin në administratë, duke marrë 573 masa disiplinore për punonjësit e administratës publike, dhe duke kallëzuar në Prokurori 36 raste. Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit, i ngritur rishtaz në 17 agjenci është sot një avokat i çdo qytetari ndaj çdo zyrtari që kërkon rryshfet. Përmes një sistemi masiv digjitalizimi kemi bërë realitet shmangien graduale të korrupsionit në sportele, përmes krijimit të shërbimeve publike online në platformën e-Albania”, tha Gjonaj.

“Për të krijuar një administratë të pastër dhe me integritet, për herë të parë Ministria e Drejtësisë ka ndërtuar mekanizma për zbatimin e planeve të integritetit për administratën publike, e cila filloi me Ministrinë e Drejtësisë dhe do të vijojë të shtrihet në mënyrë kapilare në të gjithë ministritë e tjera. Në luftën kundër korrupsionit, aleati kryesor janë qytetarët dhe klima e dialogut në të gjitha politikat e ndërtuara nga ne duke përfshirë të gjithë aktorët e shoqërisë civile, biznesit dhe bota akademike”, theksoi Gjonaj.

Kemi ende për të bërë, shtoi Gjonaj, “por njohja e rezultateve të luftës kundër korrupsionit të deritanishme nga aktorët ndërkombëtarë është sot e faktuar më shumë se kurrë. Për herë të parë dhe si një histori suksesi në rajon, Shqipëria ka marrë vlerësimin me pozitiv nga GRECO në luftën kundër korrupsionit, me plotësimin e 9 nga 10 rekomandimeve. Gjithashtu, në indeksin e perceptimit të korrupsionit të matur nga Transparency International, Shqipëria ka fituar 3 pikë më shumë që nga 2013 si dhe është renditur dy vende më lartë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në rajon që shënon rritje për këtë periudhë 8-vjeçare. Komisioni Europian gjithashtu ka përshëndetur forcimin e kapaciteteve administrative, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar dhe mbështetje buxhetore direkte në vlerën 6.8 milionë euro”.

“Me këto sfida e beteja përpara, kemi bindjen e patundur se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që mund të ngrihet në nivelin e këtyre sfidave dhe ti përballojë ato me sukses. Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë dhe ne do të vijojmë betejën tonë për të forcuar shtetin e së drejtës, për një vend më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt”, përfundoi ministrja Gjonaj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.