“Realizuam jo vetëm Reformën në Drejtësi por dhe të pronës”/ Bushka: 210 mijë objekte të legalizuara nga 10 mijë në 2013

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ “Kur flasim për Reformë në Drejtësi e ndërthurur dhe me reformën e pronës është një rezultat i dukshëm për të cilët qytetarët kanë shumë për të thënë dhe kanë përfituar”.

Kështu u shpreh deputetja e PS-së, Klotilda Bushka në takimin “Rruga drejt 25 Prillit – Drejtësia që duam”.

“Po si e gjetëm ne pronën në vitin 2013? Mashtrimi me legalizimet, premtime bosh. Vetëm 21 mijë legalizime u kryen nga viti 2005-2013. Krizë ekonomike, mungesa e titujve të pronësisë dhe pasiguria e të drejtës së pronës kishin sjellë frenimin e investimeve vendas dhe të huaj në qytet dhe paralizimin e zhvillimit bujqësor në fshat. Rreth 300 mijë familje bujqësore edhe pas 20 vitesh pas si ishte miratuar ligji 7501 nuk kishin ende certifikata e pronësisë. Krizë të  regjistrit të pronave. Pasiguria e titujve të pronësisë, mungesa e regjistrimi fillestar, disa tituj të dhënë për të njëjtën pasuri, topografi totalisht të degraduar. Trashëguam një kaos ligjor me 16 ligje që lidheshin me problemet e pronësisë dhe në shumë raste kundërshtonin njëri-tjetrin. Krizë financiare. Faturë financiare ndaj pronarëve që pritshin të kompensoheshin dhe pabarazi në trajtimin e tyre”, tha ajo

Bushka shtoi se për 8 vite deri në vitin 2013 pronarët u zvarritën dhe maksimumi që u bë ishin 862 ekzekutime vendimesh për sipërfaqe vetëm 200 m2 truall.

“Legalizimi i banesave është një prej betejave të fituara të qeverisjes tonë, 210 mijë objekte të legalizuara, janë dëshmia e padiskutueshme e kësaj. Nga këto janë 120 mijë leje legalizimi të regjistruara në raport me 10 mijë që e gjetëm këtë shifër në vitin 2013. 12 mijë apartamente dhe njësi shërbimi të legalizuara përmes vendimit të qeverisë për legalizimin e pallateve të braktisura. Rreth 1200 aktivitete ekonomike dhe shërbimi të cilat u certifikuan. Formalizimi i objekteve të ndërtuara para vitit 91. Janë 1521 objekte të regjistruara në raport me 110 që e gjetëm ne 2013”, tha ajo.

Bushka shtoi se për shërbimet e dhëna qytetarëve u është kaluar në një maksimum prej mesatares 101 ditësh në një mesatare prej 24 ditësh.

“Aplikimet pa përgjigje i gjetëm në nivelin 305 dhe sot ato janë ulur në nivelin 1.2%. Është kaluar nga një maksimum prej 71% të aplikimeve me përgjigje të kthyer me vonesa më më shumë se 90 ditë në një mesatare 2.5% të kthimit të përgjigjeve me vonesa. U mundësua kryerja e të gjithë aplikimeve vetëm online nëpërmjet portali e-Albania duke mënjanuar radhët në sportele dhe duke rritur performancën e shërbimit ndaj qytetarëve dhe uljen e kohës së marrjes së përgjigjes. Ulja e numrit të ankimeve administrative është ulur në rreth 50% duke evituar proces gjyqësore të gjata dhe ofrimin e zgjidhjeve administrative. 301 mijë kartela të pasurisë së paluajtshme janë digjitalizuar dhe ka nisur procesi për digjitalizimin e hartës së pronës”, u shpreh Bushka. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.