Prodhimi ditor në kaskadën e Drinit llogaritet 22935 MWh, prurjet zbresin në 345 m3/s

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) informoi sot se prurjet në kaskadën e lumit Drin janë ulur ndjeshëm përgjatë këtyre ditëve duke zbritur në 345 m3/s, ndërsa po vijon prodhimi me kapacitetet maksimale, duke bërë të mundur plotësimin e të gjithë kërkesës për energji elektrike në vend.

KESH po ashtu informoi se po kryhen shkarkime vetëm nga të tre HEC-t mbi kaskadën e Drinit, ndërsa nga portat po kryhen shkarkime vetëm nga Vau i Dejës.

Niveli i ujit në liqenin e hidrocentralit të Fierzës është 294.06 m, nga 296 m që është kuota maksimale, në HEC-n e Komanit 169.90 m, nga 175.5 m dhe HEC-n e Vaut të Dejës, 73.87 m, nga 76 m që është kuota maksimale.

Në HEC-n e Fierzës prodhimi ditor është 8680 MWh, në Koman 9743 MWh, ndërsa në Vaun e Dejës, 4512 MWh.

”Prodhimi total ditor llogaritet 22935 MWh dhe plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin”, bën të ditur KESH.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH-i, në HEC-in e Fierzës shkarkimi nga prodhimi është 490 m3/s, në HEC-in e Komanit shkarkimi nga prodhimi është 640 m3/s dhe në HEC-in e Vaut të Dejës shkarkimi nga prodhimi është 440 m3/s. Ndërkohë nuk ka shkarkime nga reshjet. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.