PD-LSI dhe “KÇK”, tri këmbët e së keqes me dy koka presidentësh që kërkonin fatin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “PD, LSI, dhe “KÇK” sot janë 3 këmbët e së keqes me dy koka presidentësh, që kërcënon fatin e Reformës në Drejtësi. Nëse do votoni për PD-LSI se po votoni për ndryshimin, apo se nuk doni që të më votoni mua, do bëni një gabim fatal”.

Në fjalën e tij në takimin “Rruga drejt 25 Prillit – Drejtësia që duam”, Kryeministri Rama tha se, “mos harroni se ç’kemi hequr ta votojmë atë reformë me ata që sot kërkojnë votën tuaj për të rimarrë drejtimin e këtij vendi dhe për ta çuar në djall Reformën në Drejtësi, të cilës i shihnin frikën si djalli temjanit”.

“Mos harroni se çfarë u desh të bënin partnerët tanë ndërkombëtarë, euroatlantikë, ata amerikanë në radhë të parë për t’i sjellë në votim Saliun, Ilirin, Lulin, Monikën dhe tërë kukullat e atij koalicioni që u firmos dy ditë më parë kundër drejtësisë”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “mos harroni se për t’i nxjerrë ata nga ajo çadra tragji-komike u dhanë vende në administratë dhe në qeveri, vetëm e vetëm që të ktheheshin në Kuvend për të votuar Vetingun, A-në e alfabetit të reformës dhe më pas të hynin në zgjedhje. Ju mund të thoni: “Po mirë, ikën 4 vite që ta dhamë timonin, por kush është futur në burg, nga ata që ju e dini dhe unë e di? Ata duhet të japin së paku llogari para drejtësisë për bëmat e tyre publike dhe jo të shesin dëngla patriotike, dokrra politike në sofrën e vendit”.

“Pyetje e dhimbshme dhe përgjigje po ashtu; askush! Kush e ka menduar se vota për Vetingun dhe vetë Vetingu do të çonin njerëz në burg, por nuk e kanë pasur parasysh se Vetingu nuk është një gjykatë speciale partizane, si ato të 1945. Vetingu është hallka e parë e një zinxhiri të ri të institucioneve të drejtësisë. Vetingu është fshesa e pastrimit të drejtësisë nga llumi i kalcifikuar 30 vite me radhë. Pastrimi i pallatit të drejtësisë nga ata që u pasuruan në mënyrë marramendëse duke e kthyer drejtësinë në biznes dhe të drejtën e çdo njeriu në mall që shitet e blihet sot e gjithë ditën”, – tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama tha se, “zëvendësimi i tyre me njerëz të papërlyer në atë llum janë e vetmja rrugë që duhet vazhduar sot me këmbëngulje për të pasur nesër drejtësinë që duam. Është një rrugë tjetet e vështirë me pengesa dhe me prita të lloj llojshme ku forcat e kundër reformës rezitojnë, reagojnë, godasin, në mënyrë të ethshme në krye të atyre forcave frymëzuesit dhe udhëheqësit e reformës janë dy të frikurit më të mëdhenj nga drejtësia: Presidenti i Republikës dhe ish-presidenti më famëkeq i kësaj Republike”.

“Ata mbështeten nga kasta e korruptuar e gjykatësve, e prokurorëve të pastruar prej fshesës së Vetingut apo e atyre që vazhdojnë të bëjnë krime me çekiçin e drejtësisë sot e gjithë ditën deri kur të vijë dita e fshesës së Vetingut që afron çdo ditë për secilin prejt tyre në radhë”, – tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.