Mbështetja nga IPARD/ Serra e prodhimit të fidanëve frutorë furnizon tregun vendas dhe të rajonit

TIRANË, 3 mars /ATSH/ “Agro-Korani sh.p.k” është një tjetër sipërmarrje private në sektorin e bujqësisë, që me mbështetjen e programit IPARD, ka përmirësuar teknologjitë në prodhimin e fidanëve frutorë cilësorë, që janë ndër më të kërkuarat jo vetëm në tregun vendas por edhe atë të huaj.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, u shpreh se, “ishte kënaqësi vizita në “Agro-Korani”, në rrugën dytësore Rrogozhinë-Kavajë, ku pashë nga afër një punë të jashtëzakonshme që po kryhet falë edhe mbështetjes së marrë nga Skemat Kombëtare dhe programi IPARD”.

“Teknologjitë bashkëkohore dhe standardet e larta në prodhim që konkurrojnë denjësisht me tregun vendas dhe të rajonit”, tha Ekonomi.

“Ne merremi me prodhimin e fidanëve frutorë dhe bimëve dekorative. Operojmë prej rreth 20 vitesh në këtë sektor, kemi në administrim 15 ha tokë për prodhim fidanësh frutorë, bimësh dekorative dhe për prodhim frutash, në të treja”, tha Agron Korani sipërmarrës i këtij biznesi.

Ai u shpreh se, “në përgjithësi furnizon të gjitha zonat në Shqipëri me pemët frutore dhe eksporton në Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Maqedoni”.

Ndërsa lidhur me interesin e tregut për bimët dekorative, ai tha se, “ka patur një trend vitet e fundit, ka patur dhe kërkesë për bimët dekorative dhe ne e kemi shtuar si sektor”.

Korani e informoi ministren se i gjithë prodhimi i fidanëve është i certifikuar sipas analizave përkatëse.

Ndërsa pjesë e stafit të kompanisë është agronomi, inxhinieri i pyjeve dhe inxhinier-arkitekti i gjelbërimit. “Edhe nga shteti kemi patur mbështetje të madhe”, u shpreh ai.

Në këtë sipërmarrje janë të punësuara edhe disa zonja të cilat merren kryesisht me prodhimin e fidanëve, që nga mbjellja e farave, deri në procesin e shartimit.

“Unë e shikoj që ju keni marrë një ndihmë që ka ardhur si nga projekti IPARD por ka ardhur edhe nga skemat kombëtare dhe ndërkohë keni qenë edhe ju kontribues në ndërtimin e kësaj serre me çati”, tha ai.

“Faleminderit për mbështetjen nga ana e qeverisë dhe skemës së IPARD-it. Puna që kemi krijuar e kishte domosdoshmëri ndërtimin e një sere sepse kjo është bujqësi me çati. Kjo ishte mëse e nevojshme për të kompletuar linjën tonë”, u shpreh Korani.

Ndërsa, theksoi se, për momentin fermën e tij e ka kaluar në prodhimin e perimeve në bashkëpunim me kolegët e tij.

“Kemi mbjellë një varietet lakre. E kemi marrë në bashkëpunim me një kompani që operon kryesisht në zonën e Myzeqesë, dhe po ata na kanë garantuar shitjen e prodhimit për eksport”, tha ai.

Agroni e informoi ministren se, ka rreth 2 muaj e gjysmë që e mbjellë serrën.

“Sipas planifikimit mendojmë që në 15-20 mars që të vilet. Serra është 7200 metra katror si sipërfaqe, ku 6500 metra katrorë është lakër. Edhe ujitjen e kemi me sistem me pika. Ndërsa serra është me hapje automatike. Serra është ndërtuar nga një kompani e huaj, sipas modelit italian me standardet më të mira. Lartësia e serrës arrin 7 metra, që është shumë pozitive për çdo lloj bime”, tha ai.

Ai theksoi se, bashkëpunon me kompaninë italiane që ka ndërtuar serrën edhe për të eksportuar.

Në këtë kompani janë të angazhuar me punë 22 persona, por në pikun e prodhimit numri të punësuarve rritet në varësi të fluksit.

Ai u shpreh se, synon rritjen e prodhimit vendas me qëllim shmangien e importit për prodhimet bujqësore. “Të prodhojmë sa më shumë bimë këtu, të punojmë këtu. Kemi aplikuar për skemën e naftës, sepse kemi lëndën e parë për të rregulluar kostot për të qenë sa më konkurrentë”, tha ai, ndërsa mori premtimin e ministres Ekonomi se do të jetë përfitues i skemës së naftës pa taksa për bujqësinë.

“Ne kemi qenë në fakt në zonën e Lushnjës, pamë nga afër dhe prodhimin bujqësor, por edhe ndoqëm nga afër procesin ku fermerët tërhoqën kartën e naftës, proces që po vijon në të gjithë vendin”, tha Ekonomi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.